Të nëntë vitet e fillores po i lë pas, por kujtimet do të mbeten gjithmonë me mua. Këta janë hapat e fundit të një rruge që më mësoi shumë: si të lexoj, të shkruaj, të kuptoj botën dhe të njoh veten. Por, mbi të gjitha, më mësoi miqësinë, bashkëpunimin dhe vlerën e çdo përvoje që kam kaluar gjatë këtyre viteve.
Një nga kujtimet më të bukura të këtyre hapave të fundit ishte ekskursioni në Strugë. Ecja buzë Drinit me shoqet dhe shokët e mi. Aty ku shihja rrjedhën e shpejtë të ujit e cila më ktheu në kujtime dhe më bëri ta kuptoj se sa shumë kemi kaluar por edhe sa shpejt ka kaluar koha.
Ndërsa afrohet dita e fundit, ndiej një emocion të fortë. Nuk është vetëm një ndarje nga shkolla, por edhe nga një pjesë e vetes sime që u rrit aty. Megjithatë, e di që çdo fund është një fillim i ri. Këta hapa të fundit të fillores janë një nisje drejt së ardhmes, me më shumë guxim dhe ëndrra të reja./Ora24.tv