10.8 C
Skopje
Monday, October 20, 2025

Anëtarë të BFI-së dhe xhemate nga disa myftini kërkojnë përgjegjësi pas përfshirjes së imamëve në fushata politike

Një grup anëtarësh të Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të RMV-së, si dhe xhemate nga myftinitë e Shkupit, Gostivarit dhe Strugës, kanë reaguar publikisht duke kërkuar përgjegjësi institucionale për, siç theksojnë ata, “shkelje të etikës fetare dhe përfshirje të imamëve në fushata politike”.

Në reagimin e tyre thuhet se heshtja e vazhdueshme e BFI-së ndaj rasteve të evidentuara publikisht është “më shumë se shqetësuese”, duke theksuar se institucioni dhe myftinitë përkatëse ende nuk kanë ndërmarrë masa për incidentet e zgjedhjeve të kaluara parlamentare të vitit 2024 dhe ato lokale të vitit 2025.

“As BFI e as myftinitë përkatëse ende nuk kanë marrë masa dhe nuk kanë nisur procedura për incidentet që ndodhën në zgjedhjet e kaluara. Ato janë më të thirrura se kushdo tjetër të reagojnë dhe të mbajnë qëndrim të qartë ndaj këtyre shkeljeve të etikës fetare dhe institucionale,” thuhet në reagim.

Sipas tyre, disa imamë të emëruar brenda institucioneve fetare, të cilët duhet të jenë përfaqësues të të gjithë besimtarëve, janë përfshirë “në mënyrë aktive në fushata politike”, duke cenuar neutralitetin dhe besueshmërinë e institucionit.

Po ashtu, në reagim dënohen edhe “thirrjet ekstremiste dhe injorante për bojkot të votimeve dhe proceseve shoqërore”, që sipas tyre “nuk kanë asnjë legjitimitet fetar islam”.
“Bashkësia Fetare Islame nuk mund të qëndrojë indiferente. Misioni i saj është të ruajë unitetin e besimtarëve, të mbrojë dinjitetin e fesë dhe të ndalojë çdo devijim që e cenon atë nga brenda. Heshtja përballë këtyre fenomeneve është bashkëpjesëmarrje,” përfundon reagimi.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit