Aliu: Telemjekësia do të lidhë mjekët e diasporës me pacientët në vend

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka bërë të ditur se telemjekësia do të jetë një nga shtyllat kryesore për përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe adresimin e mungesës së mjekëve në vend. Duke folur për sfidën e largimit të profesionistëve shëndetësorë nga vendi, ai theksoi se një pjesë e zgjidhjes qëndron në përfshirjen e mjekëve nga diaspora përmes teknologjisë.
“Sot kemi një numër të madh mjekësh në diasporë që janë specialistë shumë të mirë, performojnë në nivele të larta dhe janë të respektuar në vendet ku punojnë. Ne nuk duam që ky kapacitet njerëzor të mbetet i pashfrytëzuar”, deklaroi ministri Aliu.
Sipas tij, përmes telemjekësisë do të mundësohet që këta profesionistë të kontribuojnë në mënyrë direkte ose në distancë në sistemin shëndetësor të Maqedonisë së Veriut. Ai bëri të ditur se ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë me përfaqësues të institucioneve akademike dhe shumë prej tyre kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar, madje edhe pa kompensim financiar.
Projekti tashmë ka hyrë në fazën fillestare të zbatimit. Telemjekësia është pilotuar në dy qytete, në Dibër dhe në Dellçevë, ku shërbimet shëndetësore ofrohen nga distanca nga kryeqyteti, Shkupi.
“Faza e parë është pilotimi, ndërsa faza e dytë do të fokusohet në standardizimin e procedurave të telemjekësisë, me qëllim që sistemi të zgjerohet dhe të përfshijë edhe mjekët që punojnë jashtë vendit”, theksoi Aliu.
Ai shtoi se faza e tretë do të përfshijë zhvillimin e sistemeve digjitale për analiza të avancuara, veçanërisht në fushën e radiologjisë. Përmes këtyre sistemeve, mjekët specialistë nga diaspora do të mund të japin opinione profesionale për rastet që trajtohen në institucionet shëndetësore në vend.
Sipas ministrit, telemjekësia jo vetëm që do të ndihmojë në përmirësimin e qasjes në shërbime shëndetësore, por do të krijojë edhe një urë të qëndrueshme bashkëpunimi me profesionistët shqiptarë dhe maqedonas jashtë vendit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit