9.8 C
Skopje
Tuesday, November 4, 2025

Aliu: Krijuam një modul të ri për evidentimin elektronik të kontrolleve shëndetësore në fushën e mjekësisë së punës – për herë të parë kjo veprimtari integrohet në sistemin elektronik kombëtar

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në konferencën për shtyp të mbajtur sot, promovoi modulin e ri për evidentimin elektronik të kontrolleve shëndetësore në fushën e mjekësisë së punës. Moduli është zhvilluar nga Drejtoria për Shëndetësi Elektronike, në bashkëpunim me Institutin për Mjekësi të Punës dhe Shoqatën e Mjekëve Specialistë të Mjekësisë së Punës.
– Moduli mundëson evidentimin elektronik të kontrolleve shëndetësore që deri më tani realizoheshin ekskluzivisht në letër, duke shënuar kështu një hap të rëndësishëm drejt digjitalizimit të plotë të shërbimeve shëndetësore në këtë fushë. Ky modul përfaqëson një përparim të rëndësishëm në digjitalizimin dhe modernizimin e sistemeve shëndetësore, duke sjellë përfitime konkrete për të gjithë qytetarët, punëdhënësit dhe punonjësit shëndetësorë në vendin tonë.
Në sistem regjistrohen në mënyrë elektronike kontrollet për aftësinë e përgjithshme shëndetësore, për  marrëdhënie të punës, për aftësinë shëndetësore dhe psikofizike për drejtimin e automjeteve motorike, traktorëve dhe makinerive të punës, si dhe kontrollet për gjendjen shëndetësore për posedim dhe mbajtje të armës, theksoi ministri Aliu.
Dragana Bislimovska nga Instituti i Mjekësisë së Punës informoi se bëhet fjalë për regjistrimin e parë elektronik të këtij lloji në sistemin kombëtar “Termini im”, me të cilin mundësohet regjistrimi elektronik për lëshimin e vërtetimeve mjekësore dhe ndjekja e analizave dhe të dhënave në kohë reale.
– Në këtë mënyrë, më në fund do të mundësohet integrimi i veprimtarisë së mjekësisë së punës në sistemin “Termini im” përmes regjistrimit të kontrolleve shëndetësore të kryera, gjë që do të mundësojë dukshmëri dhe ndjekje të aktiviteteve tona në fushën e mjekësisë së punës. Veçanërisht e rëndësishme është që neve, si mjekë specialistë të mjekësisë së punës, na mundësohet qasje në të dhënat shëndetësore për çdo person, theksoi Dr. Bislimovska.
Zhaklina Çagoroska nga Sistemi Kombëtar Elektronik “Termini im” informoi se të gjitha kontrollet shëndetësore realizohen ekskluzivisht në institucione shëndetësore të autorizuara, ku mjekët identifikohen përmes licencës së tyre profesionale ose vulës personale.
– Me çdo kontroll shëndetësor, automatikisht krijohet një kartelë e veçantë shëndetësore për këtë lloj regjistrimi. Më tej, sistemi gjeneron automatikisht një raport mjekësor, i cili përmban opinionin mjekësor, gjendjet e identifikuara, rekomandime për të punësuarin dhe punëdhënësin, si dhe vlerësimin e aftësisë për punë tha Çagoroska.
Procesi i digjitalizimit do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, përmes krijimit të një portali për punëdhënësit, nëpërmjet e-shërbimeve për të iniciuar kontrollet shëndetësore të të punësuarve, integrimit në dosjet shëndetësore dhe paraqitjes në aplikacionin “Shëndeti im”, si dhe digjitalizimit të plotë të dokumenteve dhe ndërlidhjes me institucionet përmes interoperabilitetit  veçanërisht me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Agjencinë për Punësim.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit