Aliu: Jemi të gatshëm për rikonstruimin e qeverisë, kemi rezultat
Ministri i Shëndetësisë dhe përfaqësuesi i VLEN-it, Azir Aliu në emisionin “nPodium” në Ora 24.tv duke folur për rikonstruimin e qeverisë të paralajmëruar nga kryeministri Hristijan Mickoski tha se janë të gatshëm për këtë temë.
Thotë se VLEN-i kanë bërë analizë për çdo dikaster dhe se këto janë procedura pastaj administrative në nivel të partisë.
“Kemi pasqyrë të qartë mbi performancën e çdo institucioni. Nuk kisha dashtë të hyjë në detaje, por kemi rezultate. Janë procedura administrative politike në nivel partiak, kemi pasur takime jashtë Shkupit edhe brenda VLEN-it, por si do që të jetë, çdo parti politike serioze duhet të reflektojë mbi situatën se ku është. Jemi të gatshëm për rikonstruimin e qeverisë. Duhet të ulen liderët e partive politike dhe këto janë çështje pastaj institucionale dhe politike duhet të analizohen”, ka thënë Aliu.
Kemi një organogram qartë të definuar
Duke folur për riorganizimin e VLEN-it, ai tha se kanë një organogram shumë qartë të definuar.
“Unë kam qenë pjesë e komplet procesit të riorganizimit të VLEN-it. Ajo ka një organogram shumë qartë të definuar, kemi strukturat bazë të organizuara, pasi kjo kërkon daljen në terren dhe kjo nuk reflekton negativisht në riorganizimin e formave tjera në qeveri, drejtori, zëvendësministra apo ministra”, ka thënë Aliu.
Faza tjetër, sipas tij do jetë terreni që do të harxhojë shumë energeji dhe kur qasja është nga lartë poshtë dhe kur menaxhimi shkon mirë, besoj shton ai, “nuk haset në probleme”.
“Asnjë ndryshim nuk është i lehtë kur bëni një riorganizim, por sidoqoftë qëllimi është i mirë dhe jam i sigurt se do shkojë lehtë”, ka thënë ministri Aliu.





