Zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha, ka përshëndetur fillimin e zbatimit të sistemit “One Stop Shop” në pikën kufitare të Qafë Thanës, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve dhe shkurtimit të pritjeve në kufi.
Në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në Qafë Thanë u shënua zyrtarisht fillimi i zbatimit të këtij sistemi, në prani të kryeministrave të të dy vendeve, përfaqësuesve të dy qeverive dhe drejtuesve të VLEN-it.
Hoxha theksoi se për qytetarët e Strugës dhe të rrethinës, pritjet e gjata në kufi kanë qenë prej vitesh një problem i vazhdueshëm, ndërsa vendosja e sistemit “One Stop Shop” përbën një zgjidhje konkrete për lehtësimin e qarkullimit.
“Për ne në Strugë dhe rrethinë, pritjet e gjata në kufi kanë qenë një makth i vërtetë. Më në fund, një hap konkret drejt lëvizjes më të lirë!”, ka shkruar Hoxha.
Ai e ka cilësuar simbolike që pikërisht në Ditën e shkronjave shqipe të shënohet edhe një hap konkret që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe lehtëson komunikimin ndërmjet dy vendeve.








