Sot, nëpunës policorë të stacioneve policore për sigurinë e komunikacionit rrugor në Koçan, Dellçevë dhe Berovë, në disa lokacione në zonat qendrore të qyteteve, realizuan aktivitete parandaluese me motot „Nëse pi, mos vozit“ dhe „Mos përdor telefon celular gjatë vozitjes“.
Drejtuesve të automjeteve iu vunë në dukje pasojat që mund të shkaktohen nga përdorimi i telefonit celular gjatë vozitjes, si dhe sanksionet për shkeljet e tilla. Theks i veçantë iu kushtua ndërgjegjësimit të drejtuesve të automjeteve që të mos drejtojnë automjete nën ndikimin e alkoolit, duke pasur parasysh se alkooli i zvogëlon ndjeshëm aftësitë e drejtimit, i dëmton aftësitë psikomotorike dhe paraqet kërcënim serioz për sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion. Aktivitet parandalues në fushën e komunikacionit realizoi edhe Njësia për Parandalim pranë SPB Shkup, në territorin e Stacionit Policor Çair, ku, në bashkëpunim me Këshillin Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor, përmes komunikimit të drejtpërdrejtë, drejtuesve të automjeteve iu theksua nevoja për respektimin e plotë të rregullave dhe dispozitave të komunikacionit, me theks të veçantë në respektimin e kufizimeve të shpejtësisë. Gjithashtu, ata u informuan për funksionimin e sistemit „Qytet i Sigurt“.
Njësia për Parandalim pranë SPB Shkup, në Shkollën Fillore Komunale „Stiv Naumov“, në territorin e Stacionit Policor Gazi Babë, mbajti një ligjëratë edukative për mbrojtjen nga dhuna mes bashkëmoshatarëve dhe dhuna kibernetike, si dhe për parandalimin e varësive. Nxënësit u njohën me format e ndryshme të sjelljes së dhunshme, format dhe mënyrat e shfaqjes së këtyre dukurive devijante, si dhe me pasojat që mund të shfaqen në forma të ndryshme. Gjithashtu, atyre iu shpjeguan mënyrat dhe metodat për parandalimin me kohë dhe përballimin e këtij lloji të sjelljes devijante tek të rinjtë.
Po ashtu, nxënësit u informuan për pasojat e dëmshme të varësive, si dhe për mënyrat e parandalimit të tyre, duke përfshirë varësinë nga drogat narkotike, cigaret, alkooli dhe lojërat e fatit.








