Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zhvilloi takim lamtumirës me ambasadorin e Kazakistanit në vend, Sadbaldi Burshakov.
Gjatë takimit, Gashi shprehu mirënjohje për angazhimin e ambasadorit në avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke vlerësuar progresin në bashkëpunimin dypalësh, ekonomik dhe parlamentar.
Në takim u theksua përfundimi i negociatave për tri marrëveshje në fushën juridike, që lidhen me ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale, transferimin e personave të dënuar dhe ekstradimin.
Si hapa të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ekonomik u përmendën edhe nënshkrimi i Protokollit për sesionin e parë të Komisionit të Përbashkët për Tregti dhe Bashkëpunim Ekonomik, si dhe Memorandumi i Mirëkuptimit për Bashkëpunim Ekonomik.
Gashi theksoi se ekziston hapësirë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve parlamentare, veçanërisht përmes Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Kazakistanin dhe kontakteve të rregullta ndërmjet dy parlamenteve.
Ai përshëndeti edhe hapjen e Ambasadës Rezidente të Kazakistanit në Shkup, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Nga ana e tij, ambasadori Burshakov falënderoi për bashkëpunimin dhe mbështetjen gjatë mandatit të tij në Maqedoninë e Veriut. Ai tha se do t’i kujtojë me kënaqësi marrëdhëniet miqësore të krijuara gjatë qëndrimit të tij në vend dhe shprehu besimin se bashkëpunimi mes dy shteteve do të vazhdojë të thellohet.
Në fund të takimit, Gashi i uroi ambasadorit Burshakov suksese në angazhimet e ardhshme profesionale.






