Gjatë fundjavës festive, përfshirë datat 28, 29, 30 dhe 31 mars, policia ka kryer kontrolle intensive në trafikun rrugor në të gjithë vendin, duke shqiptuar 2,508 gjoba për shkelje të ndryshme.
Ndër shkeljet më të zakonshme ishin tejkalimi i shpejtësisë, me 959 raste të evidentuara, parkimi i gabuar me 425 gjoba të shqiptuara dhe drejtimi i automjetit pa patentë shoferi, ku u regjistruan 234 shkelje. Gjithashtu, u konstatuan 173 raste të mosvendosjes së rripit të sigurisë, 50 shoferë u kapën duke përdorur telefonin gjatë vozitjes, ndërsa 14 të tjerë kaluan semaforin e kuq. Po ashtu, 48 shoferë u ndëshkuan për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit.
Në kuadër të kontrolleve, policia largoi nga qarkullimi 74 automjete, nga të cilat 24 për shkak të problemeve teknike dhe 50 të tjera sepse ishin të paregjistruara.
Ministria e Punëve të Brendshme ka paralajmëruar vazhdimin e kontrolleve edhe në ditët në vijim, duke apeluar te qytetarët që të respektojnë rregullat e trafikut për të siguruar një mjedis më të sigurt në rrugë.