Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme në orët e vona për të informuar opinionin publik mbi sulmet e fundit, të cilat ai i cilësoi si kriminale dhe terroriste, raporton ATV.
“Sonte u dashtë të mblidhemi në orët e vona këtu në Kryeministri për të informuar opinionin publik mbi sulmet e fundit të rënda kriminale, terroriste dhe dashakeqe, që po vijojnë të na vijnë nga fqinji ynë verior, agresiv dhe armiqësor,” tha Kurti.
Në konferencën e tij, ai përmendi disa sulme të fundit, përfshirë sulmin me granata dore në stacionin policor në Zveçan më 26 nëntor dhe shpërthimin e një mjeti shpërthyes pranë komunës së Zveçanit një natë më parë.
Kurti theksoi se akti më i rëndë ndodhi sonte, rreth orës 19:00, në fshatin Vragë të Zubin Potokut, ku me mjete shpërthyese u dëmtua kanali kryesor i Ibër-Lepencit. Ky kanal furnizon me ujë qytete të rëndësishme të Kosovës, përfshirë Mitrovicën, dhe është jetik për ftohjen e termocentraleve të KEK-ut për prodhimin e energjisë elektrike.