Shkup, 24 nëntor – Projekti “Mozaik” thuajse është zhdukur nga të gjitha kopshtet ku për vite me radhë u realizua me qëllim të mësohet gjuha dhe kultura e tjetrit përmes lojës. Nga kopshti “Fidani” në Çair thanë se ky projekt në bazë të planprogramit të posaçëm që kishte nuk funksionon tashmë disa vite. Siç tha drejtoresha Gzime Bakiu, zbatimi i projektit kishte efekte shumë pozitive prandaj është mirë të rikthehet nga Ministria e Politikës Sociale.
“Të them të drejtën ka disa vite me radhë që ky projekt nuk funksionon. Ne i kemi grupet siç kanë qenë edhe më herët grupet Mozaik në gjuhën shqipe dhe në gjuhën maqedonase. Mirëpo, atëherë grupin Mozaik ka funksionuar me tjetër plan program, investimi dhe materiali I nevojshëm për aktivitetet, çdo gjë ka qenë pjesë e projektit. Mirëpo, disa vite me radhë ai projekt nuk funksionin dhe ato grupet Mozaik që janë funksionojnë me plan programin e rregullt të kopshtit që e kemi”, tha Gzime Bakiu, drejtore e kopshtit “Fidani”.
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë tha se nuk ka asnjë pengesë në realizimin e këtij projekti. Mirëpo, Limani tha se u mbetet prindërve të vendosin në cilën gjuhë do të mësojnë fëmijët e tyre.