Në Tiranë, u zhvillua Kuvendi Kombëtar për gjuhën shqipe, ku morën pjesë dhe ku u paraqit Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, një projekt katërvjeçar, ku dhanë ndihmesën e tyre dhjetëra gjuhëtarë nga Tirana, Prishtina e Shkupi. Fjalori i ri ka dy herë e gjysmë më shumë fjalë se sa Fjalori i mëparshëm i botuar mbi 4 dekada më parë. Gjuhëtarët pohuan se ky fjalor i ri do të ndihmojë shumë përdoruesit e saj të gjitjë profesioneve, si dhe vet gjuhën shqipe përballë rreziqeve të komunikimit në kohët e sotme.
Gjuhëtarë dhe akademikë të njohur të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut u bashkuan në një Kuvend Kombëtar të Gjuhës Shqipe në Tiranë, ku u diskutua mbi sfidat e gjuhës në shekullin XXI dhe u publikua Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe.
Ky fjalor ka gjithsej 10 mijë faqe A4, me 124 mijë njësi, mes të cilave 103 mijë fjalë, dy herë e gjysmë më shumë se “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” i vitit 1980, 5 mijë emërtime, 3 mijë njësi leksiko-gramatikore të fshehura, 11 mijë e 500 njësi frazeologjike, 1 mijë e 400 shprehje të huaja të paasimiluara, 1 mijë e 200 shkurtesa, si dhe mbi 40 mijë vargje sinonimike.





