16.8 C
Skopje
Wednesday, September 17, 2025

Vendimi i Serbisë për targat, për dikë në veri “tradhti” për të tjerë “i mirë”

“Tradhti” dhe “humbje” – kështu e komentojnë qytetarët serbë në veri të Kosovës vendimin e Qeverisë së Serbisë që brenda territorit të saj të lejojë qarkullimin e lirë të veturave me targa të Kosovës, RKS – Republika e Kosovës. Por, jo të gjithë ata me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë më 26 dhjetor mendojnë njëjtë.

Millani nga Mitrovica e Veriut, komunë kjo e banuar me shumicë serbe, kujton djegien e veturave të serbëve, të cilët i konvertuan targat në RKS në fillim të procesit të riregjistrimit. Ai thotë se askush nuk mund ta kompensojë atë dëmtim.

“Targat ishin diçka për të cilën njerëzit ndërtuan barrikada, targat ishin diçka për të cilën njerëzit kanë pësuar, targat ishin diçka që ishte shtetësia e Republikës së Serbisë në këto zona, targat ishin shumë të lidhura me shtetësinë… kjo tani është shkatërruese”, thotë Millani.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë më 25 dhjetor se Qeveria e Serbisë ka marrë një vendim që do ta mundësojë lëvizjen e lirë të të gjitha automjeteve nga Kosova në territorin e Serbisë.

Ai bëri të ditur se vendimi do të hyjë në fuqi nga 1 janari, mirëpo nuk specifikoi nëse targat e veturave nuk do të mbuloheshin më me letra ngjitëse kur ta kalojnë kufirin – siç ndodh aktualisht. Sipas tij, ky vendim është marrë “për arsye praktike me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes”. Ai shtoi se ky vendim “nuk mund të kuptohet si njohje e pavarësisë së Kosovës”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se çështja e targave për më shumë se dhjetë vjet ka qenë marrëveshje e pazbatuar e për dy vjet marrëveshje e përdorur si mjet dhe qëllim për eskalim e destabilizim.

“Me vendimin për njohjen e targave RKS nga ana e Serbisë, shkon drejt fundit një proces i gjatë i çështjes së targave e mosnjohjes së tyre nga pala serbe”, ka shkruar Bislimi në rrjetin social Facebook.

Ai shtoi se “ky nuk është konstruktivitet nga ana e Serbisë, por është vetëm maskim që ata duan ta kamuflojnë pas dështimit në Banjskë dhe dështimit të narrativës së tyre të ushqyer për kaq shumë kohë në Bruksel”.

Deri në publikimin e këtij artikulli, Qeveria e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it për të treguar se si do të veprojë pas 1 janarit nëse Serbia i largon letrat ngjitëse.

Stefani, qytetar serb në veri, beson se me këtë vendim të Qeverisë së Serbisë “nuk është arritur asgjë” për serbët nga Kosova.

“A ekzistojmë ne për ata? A mendojnë ata për ne? Dhe, çfarë vendimi është ky, çfarë vendimesh të zbrazëta janë [këto]. Nuk e kuptoj fare se në anën e kujt qëndron Beogradi zyrtar… për serbët në veri të Kosovës nuk është arritur asgjë”, thotë ai.

Në anën tjetër, Dragani dhe Zvezdani besojnë se ky vendim do të lehtësojë lëvizjen e serbëve nga Kosova, të cilët kanë riregjistruar veturat me targa RKS.

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit