Pasuria e presidentit të sapozgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump për vitin 2024 varion në vlerësime nga 5.5 miliardë dollarë (Forbes) deri në 7.7 miliardë dollarë (Bloomberg), me shumicën e të ardhurave të tij nga investimet në pronat e paluajtshme dhe platforma e medias sociale Truth Social që e rriti pasurinë e tij së fundmi, përcjell INA.
Pavarësisht sfidave ligjore, Trump mbetet në mesin e 500 njerëzve më të pasur në botë.
Asetet e Trump përfshijnë rreth 1.1 miliardë dollarë në prona të patundshme dhe mbi 800 milionë dollarë në klube golfi dhe resorte. Ai zotëron gjithashtu rreth 510 milionë dollarë në para cash dhe investime të tjera, por edhe ka mbi 500 milionë dollarë borxhe ligjore dhe detyrime të tjera.
Pavarësisht rritjes së tij financiare, Trump po përballet me një sërë sfidash ligjore, duke përfshirë akuza për manipulim të vlerës së pasurisë për të siguruar kushte më të mira kredie nga bankat . Gjithashtu, ka të dhëna që një pjesë e madhe e pasurisë së tij vjen nga trashëgimia prej të atit, gjë që ai zakonisht preferon ta minimizojë në publik.(INA)