Rita Behadini, aktiviste për të drejtat e grave, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemet e pabarazisë gjinore trajtohen në media në raste të caktuara apo kur kemi të bëjmë me një problem serioz kur gruaja është viktimë e dhunës.
“Dhuna mbi baza gjinore është një fenomen shumë i përhapur, megjithatë për këtë nuk flitet mjaftueshëm dhe më e keqja as që raportohet mjaftueshëm në institucionet përkatëse”, totë ajo
Sipas saj, kjo ndodh për faktin se mungon reagimi i shpejtë i sistemit të drejtësisë, përkatësisht policisë, prokurorisë dhe gjykatave, me qëllim që t’u përgjigjen në mënyrë adekuate nevojave të viktimave të dhunës në familje.
Behadini thekson se problematike është dhe gjuha seksiste që përdoret në rrjetet sociale, e cila mbetet e pandëshkuar sa herë që mediat trajtojnë ndonjë rast mbi dhunën në familje.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri Fatmir Bytyçi e ka vënë theksin të fuqizimi ekonomik i grave pasi gjysma e tyre në Maqedoninë e Veriut janë jashtë tregut të punës.
“Të gjithë ne duhet ta adresojmë këtë problem dhe të punojmë fuqishëm drejt zvogëlimit të papunësisë te grate. Kjo mund të arrihet përmes ndërgjegjësimit dhe krijimit të mundësive të barabarta për të dy gjinitë në mënyrë që të eliminohet varësia ekonomike e grave”, ka thënë Bytyçi.
Ndryshe, në bazë të statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme nga fillimi i vitit e deri në fund të gushtit në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 517 raste të dhunës në familje, për të cilat janë raportuar 526 autorë të dhunës – prej tyre janë 476 meshkuj dhe 50 femra./REL