Pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale ndaj 45 të dyshuarve për pjesëmarrje në sulmin terrorist në Banjskë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi nga Serbia që ta dorëzojë, siç tha ai, kryekriminelin serb, Milan Radojçiq. Akti është kryer në Republikën e Kosovës, prandaj ai duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë, tha Kurti.
“Ajo që ne insistojmë vazhdimisht kudo që ndodhemi, e këtë e kam thënë edhe herën e fundit kur isha në Bruksel, në takimin e nivelit të lartë, e para është dorëzimi i Milan Radojçiqit autoriteteve të Kosovës, sepse krimin e ka kryer në Kosovë. Banjska është në Zveçan të Kosovës.”, – deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur të mërkurën aktakuzë kundër Milan Radojçiqit dhe 44 personave të tjerë për sulmin terrorist të ndodhur më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit janë ngarkuar se përmes përdorimit të dhunës dhe armatimit të rëndë tentuan të shkëpusin pjesën veriore të Kosovës dhe ta bashkojnë me Republikën e Serbisë. Si pasojë e kësaj, zyrtari policor, Afrim Bunjaku, humbi jetën dhe u rrezikua jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe e popullatës civile. Milan Radojçiq akuzohet se nga viti 2017 deri më 24 shtator të vitit 2023 ka siguruar të ardhura në mënyrë të paligjshme, të cilat i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, dhe një pjesë e këtyre pasurive është transferuar tek persona të tretë për të fshehur burimin e tyre.