2.8 C
Skopje
Thursday, November 13, 2025

Kampusi i ri i Universitetit “Nënë Tereza”, Zekolli-Shaqiri: Procesi i lejes është në procedurë

Shkup, 8 shtator – Leja për ndërtimin e kampusit të Universitetit “Nënë Teresa” për të cilën Qeveria ka ndarë 34.5 milion euro është në procedurë e sipër, njofton për TVM2, zv/ministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli-Shaqiri. E gjithë kjo procedurë, sipas kësaj ministrie, duhet të përfundojë për disa muaj.

“Ministria e Transportit si organ kompetent sipas Ligjit për ndërtim për dhënien e lejeve të ndërtimit për objektet e kategorisë së parë pas parashtrimit të kërkesës nga ana e Universitetit “Nënë Tereza”, ne si ministri, procedurën për dhënien e lejes së ndërtimit e ndjekim sipas dinamikës së paraparë ligjore për objektet e kësaj kategorie dhe ajo është në proces.”, – thuhet në komunikatën me shkrim të zv/ministres, Kaltrina Zekolli-Shaqiri.

Zeqiri: Faza i përfshin ndërtimin e 60 % të objektit

Kampusi i ri universitar “Nënë Tereza” parashihet të ketë tetë fakultete, ambiente administrative, një pishinë gjysmë olimpike, një sallë sportive, një bibliotekë, salla për ekspozita, restorant dhe garazhe. Në ambientet bruto të godinës, një e treta janë planifikuar të jenë laboratorë studimi për 15 programe studimi për shkencat teknike, tre amfiteatro të mëdhenj dhe hapësira të tjera të nevojshme për tetë programe për shkencat sociale. Rektori i UNT-së, Izet Zeqiri, për TVM2, njofton se ndërtimi i kampusit planifikohet të ndërtohet në tre faza, ndërsa faza e parë përfshin ndërtimin e 60% të objektit të përgjithshëm.

“Projekti është shumë i madh, ndërsa ne fillojmë me fazën e parë diku me ndërtimin e afër 60% të hapësirës së objektit dhe këtë gjë ne planifikojmë ta realizojmë për katër vite. Ne shpresojmë se për katër vitet e ardhshme, nëse nuk paraqiten pengesa dhe nëse do të kemi para të mjaftueshme të realizojmë këtë projekt. Projeksionet tona janë për diku 6 mijë studentë dhe parashihet projekti të ketë aula, biblioteka, 8 fakultetet të kenë ndërtesat e tyre, do të ketë amfiteatro, do të ketë salla sporti diku 1.200 m2, pishinë me 885 m2 dhe shumë objekte tjera që i ngjasojnë një kampusi modern.”, – tha për TVM2 rektori i UNT-së, Izet Zeqiri.

Sipas autoriteteve, tenderimi do të jetë për disa vite, për shkak se sipas tyre bëhet fjalë për projekt që nuk mund të realizohet për disa muaj, por do të zgjasë disa vite.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit