10.8 C
Skopje
Sunday, October 12, 2025

Shkrimi nga Sarajeva që shkaktoi reagime në Kosovë

Një shkrim i portalit nga Sarajeva “Slobodna Bosna” për planet e supozuara të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në rajon dhe kontrollin e dy portaleve kosovare nga pushteti i Vuçiqit, shkaktoi reagime të shumta nga gazetarët, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, partitë opozitare dhe ekspertët e mediave.

Reagimet e tyre kanë të bëjnë kryesisht me faktin se pjesa e tekstit, që ka të bëjë me ndikimin e pushtetit serb ndaj dy portaleve në Kosovë është shpërndarë nga deputetë e anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje – partisë në pushtet në Kosovë – gjë që po konsiderohet si “frikësim i gazetarëve dhe presion nga pushteti”.

Reagime ka pasur edhe për faktin se pjesë të tekstit janë transmetuar nga transmetuesi publik i Kosovës, Radio Televizioni i Kosovës (RTK), gjë që ka bërë që disa gazetarë dhe redaktorë të punësuar në këtë medium të distancohen nga ajo kronikë që u transmetua më 22 korrik.

Po ashtu kanë reaguar edhe partitë opozitare, të cilat pretendojnë se RTK-ja, që transmetoi tekstin e portalit nga Sarajeva, është “shndërruar në vegël të interesit ordiner të pushtetit”.

Nga bordi i RTK-së thanë për Radion Evropa e Lirë se janë duke mbajtur mbledhje për këtë çështje, ndërsa Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për të komentuar akuzat për “frikësim të gazetarëve”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se sa i përket dy portaleve, gjatë të mërkurës i ka dhënë informacione Prokurorisë sepse, siç u shpreh ajo, “është e rëndësishme të dimë se kush financohet nga Serbia”.

Çfarë thuhet në tekstin e portalit “Slobodna Bosna”?

Teksti, që për autor ka ekipin hulumtues të “Slobodna Bosna”, u publikua më 22 korrik dhe, duke u bazuar në burime, tregon se si minierat e litiumit në Serbi “janë shkaktar i mundshëm i i konflikteve të reja në Serbi dhe rajon, por edhe në Bosnje e Hercegovine”.

Bashkëbisedues në këtë tekst të “Slobodna Bosna” është edhe Boban Bogdanoviq nga Beogradi, i cili u vu në qendër të vëmendjes së publikut në vitin 2022, kur në cilësinë e shokut të anëtarit të vrarë të grupit kriminal të Velko Belivukut, për rrjetin hulumtues nga Beogradi, KRIK, deklaroi se për vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, morën pjesë grupi Belivuk dhe Zvonko Vesellinoviq.

Në një pjesë të tekstit, duke cituar burime të paidentifikuara, “Slobodna Bosna” shkroi se pushteti i Vuçiqit po zgjerohet kur bëhet fjalë për “heshtjen” e mediave të papërshtatshme në rajon dhe se tashmë ka ardhur koha që e njëjta gjë të bëhet edhe ndaj mediave në Kosovë.

“Në rend të parë është portali ‘Periskopi’, i cili është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të terroristit nga Banjska, Millan Radoiçiq, dhe kohët e fundit është bërë një transaksion miliona dollarësh te [portali] ‘Nacionale’, i cili është vënë në dispozicion të pushtetit të Vuçiqit me tekste kritike për Qeverinë e Albin Kurtit, duke shkaktuar zemërim te shqiptarët e Kosovës”, shkroi ndër të tjera “Slobodna Bosna”.

Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023.

Periskopi” dhe “Nacionale” mohuan këto akuza dhe paralajmëruan padi ndaj portalit nga Sarajeva dhe ankesë ndaj RTK-së.

RTK ka cituar pjesë nga teksti i “Slobodna Bosna”, por pa përmendur saktësisht se për cilat media në Kosovë bëhet fjalë.

Shkrimet e RTK-së dhe portalit “Slobodna Bosna” më pas janë shpërndarë nga deputetët e Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe Dimal Basha, në rrjetin social Facebook.

Lidhur me këtë ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke treguar se kundër dy portaleve kosovare po bëhet një “fushatë e rrezikshme” nga anëtarët e kësaj partie.

“Shkrimi i ‘Slobodna Bosna’ bazohet në burime dhe në deklaratat e një individi kontrovers, me emrin Boban Bogdanoviq, që thotë se është disident politik serb. AGK-ja dënon fuqishëm këtë fushatë të rrezikshme dhe të papranueshme të deputetëve të partisë qeverisëse, Vetëvendosje, që targeton këto dy media dhe gazetarët që punojnë aty. Fushata si kjo rrezikon seriozisht sigurinë e gazetarëve të këtyre dy mediave, dhe Vetëvendosja e deputetët e saj duhet të mbahen përgjegjës për nxitjen e urrejtjes dhe sulmeve potenciale kundër tyre”, u tha në reagimin e AGK-së.

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit