Sipas informacioneve, negociatat janë në fazën përfundimtare, përmbyllëse, jo vetëm për ministrat, por edhe për zëvendësministrat, sekretarët e shtetit dhe shkalla e tretë, e katërt. Pres mandatarin Mickoski që më 17 qershor, të hënën, të paraqesë në Kuvend propozimin për përbërjen e Qeverisë së re dhe pastaj deputetët në Kuvend do të kenë disa ditë kohë për të shqyrtuar programin, përbërjen dhe biografitë e ministrave të rinjë të propozuar, thotë deputeti dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Antonijo Milloshoski në televizionin Alsat.
Lidhur me ligjin e ri për organizimin e organeve dhe punës së administratës shtetërore, i cili u miratua këtë fundjavë dhe me përkrahjen e deputetëve të Frontit Evropian, Milloshoski tha se ajo që mund të vërehej në Kuvend gjatë vetë debatit, por edhe pak ditë më parë, ishin të dhënat se individë, deputetë që janë në koalicion me BDI-në, por që nuk janë me origjinë nga ajo parti politike, dy-tre në numër janë shprehur të gatshëm për të mbështetur këtë ligj, gjë që sigurisht do të mjaftonte që ligji të merrte dy të tretat e shumicës.
“Nga ana tjetër, mendoj se kryetari i BDI-së, duke pasur parasysh këtë njohuri, vendosi të ndërmarrë një hap që të mos vërehet përçarja brenda BDI-së dhe ajo copëzim në koalicionin e tyre, në një mënyrë që të duket se ata janë një grup kompakt që përkrah një zgjidhje të caktuar ligjore, edhe pse një pjesë e grupit të deputetëve të afërt me Ziadin Selën nuk kanë qenë të pranishëm dhe nuk kanë votuar për këtë ligj”, tha Milloshoski.
Ai shtoi se me rëndësi është që kjo zgjidhje ligjore, fitoi legjitimitet te votuesit dhe te qytetarët dhe çdo deputet që vendosi ta mbështeste, e ka dëgjuar zërin e qytetarëve që vendosën për këtë Qeveri.
Milloshoski theksoi se nuk do t’i tregojë emrat e deputetët që kanë vendosur të veprojnë sipas bindjeve të tyre ose pak më ndryshe nga koalicioni në të cilin marrin pjesë, duke theksuar se ajo që mund të thotë është se në koalicionin e BDI-së janë dy-tre persona të cilët kanë disponimi për një bashkëpunim më pragmatik me mazhorancën në pushtet.
“Dhe ne e vlerësojmë se është e dobishme edhe për shumicën në pushtet, në fund të fundit për qytetarët që i besuan kësaj mazhorance të realizojnë projekte të rëndësishme reformuese”, theksoi Milloshoski.