Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për prestigjozen britanike “Financial Times” të martën, deklaroi se Serbia duhet të qëndrojë në anën e perëndimit kundër Rusisisë në mënyrë që t’i japë Kosovës sigurinë se ajo është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare kërkoi të ndryshojë qasjen e tyre.
Shtetet e Bashkuara (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë qenë “shumë të buta” ndaj Serbisë, vlerësoi tutje kreu i ekzekutivit kosovar, ndërsa shtoi se duhet t’i caktohet një afat kohor shtetit serb për miratimin e sanksioneve ndaj Rusisë, në mënyrë që t’i japë Kosovës sigurinë se ajo vërtetë është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe integrimin evropian.
Uashingtoni dhe Brukseli “duhet të ndryshojnë qasjen e tyre dhe t’i japin një afat kohor Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë… dhe për të hequr dorë nga përpjekjet për t’u ulur në tre ose katër karrige”, deklaroi ndër të tjera kryeministri Kurti në një intervistë për “FT” të martën, duke e cilësuar vendosjen e sanksioneve “sinjal” se Serbia në thelb dëshiron paqe.
“Sapo Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë, atëherë do të ishte një moment kur ata do të tregonin se duan të integrohen në BE, dhe Serbia pa Rusinë nuk mund të kërcënojë sigurinë e kontinentit. Atëherë mund të besoja se ata në thelb duan paqe. Dhe SHBA-ja dhe BE-ja nuk do të përpiqeshin ta qetësonin”, theksoi shefi i Qeverisë së Kosovës në këtë intervistë.