Kosova është në rrugë të mbarë, vlerëson kreu i Alternativës, Afrim
Gashi ndërsa shton se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe qeveria e
RMV-së, do të bëjnë çmos që ta ndihmojnë Kosovën në çështjet e hapura me
Serbinë.
“Ne e shohim Kosovën në rrugë të mbarë. E dimë se sfida kryesore mbetet
problemi me Serbinë dhe njohja përfundimtare e Kosovës. Në këtë
rrugëtim, shqiptarët dhe Maqedonia e Veriut do të bëjnë ç’mos që ta
ndihmojnë Kosovën dhe kjo do të ishte një fitore e dyfishtë sa për
Kosovën aq edhe për rajonin. Unë mendoj se derisa Kosova nuk njihet
ndërkombëtarisht, do të jetë brengë e secilit shqiptar. Është e imja,
besoj edhe e gjithë shqiptarëve”, deklaroi Gashi gjatë takimit që kanë
patur sot me kryeministrin Albin Kurti, dhe liderët e koalicionit VLEN.