27.8 C
Skopje
Sunday, September 14, 2025

Ende nuk ka ashensorë të ri në Spitalin e Tetovës, ministri i Shëndetësisë thotë se ka nënshkruar, nuk jep më shumë informata (Video)

Ashensorët e rinj në Spitalin e Tetovës ende nuk janë instaluar pavarësisht premtimeve të funksionarëve. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri i pyetur nga Portalb.mk se pse ka ngecur kjo procedurë e cila zhagmitet që nga viti i kaluar, tha se ka nënshkruar për to, por, nuk tregoi se kur përfundimisht do instalohen ashensorët.

“Procedura është në fund, unë i shtysha procedurat që mos të sjelli vendime para zgjedhjeve, e kam nënshkruar atë që duhet të përfundojë, detyrimisht duhet spitali të pajiset me to”, tha Demiri.

Por i pyetur se kur konkretisht to instalohen ashensorët, Demiri nuk dha afat.

“Unë e kam nënshkruar, e kam mbaruar, është e mbaruar nga ana ime”, tha Demiri.

Herën e fundit që Ministria e Shëndetësisë shpalli prokurim publik për ashensorë për spitalin e Tetovës ishte me 2 shkurt 2024 dhe sipas afateve e njëjta ishte paraparë të zgjasë deri më 4 mars 2024. Pas së cilës do të pasonin edhe procedurat e tjera administrative.

Megjithatë, në ueb faqen e Prokurimeve Publike, Portalb.mk verifikoi se ende nuk ka kontratë të publikuar për ashensorët e rinj për Spitalin e Tetovës.

Ashensorët e rinj u premtuan edhe në vitin 2023, por, procedura nuk arriti në fund sepse Komisioni i Prokurimeve Publike nuk e pranoi prokurimin pasi kishte ankesë kundër vendimit për ofertuesin e zgjedhur, me çka procedura filloi nga e para.

Në të kaluarën ka pasur vazhdimisht premtime për ashensorët, por deri tani pa rezultat.

Ashensorët aktual në Spitalin e Tetovës janë të vjetër dhe vazhdimisht pësojnë defekte, ndërsa qytetarët duhet të ecin në këmbë.

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit