15.8 C
Skopje
Saturday, November 8, 2025

Ulja e numrit të të punësuarve në administratë, sfidë për secilën qeveri

.

Reformimi i administratës publike në Maqedoninë e Veriut është më se i nevojshëm, thonë njohësit e çështjeve juridike. Sipas tyre, për të pasur një administratë, e cila u ofron shërbime qytetarëve në përputhje me kriteret e vendeve të Bashkimit Evropian (BE), ajo duhet t’u nënshtrohet reformave dhe përfundimisht institucionet e shtetit nuk duhet të paraqesin strehë për ithtarët e partive politike në pushtet.

Për realizimin e reformave të thella në administratë janë zotuar të gjitha qeveritë në Maqedoninë e Veriut, por asnjëra s’ka marrë guximin që të realizojë reforma të thella, përkatësisht të bëjë shkurtime tek administrata.

Së fundmi, partia maqedonase, VMRO DPMNE, e cila doli fituese në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, gjatë fushatës zgjedhore por edhe më pas, ka theksuar se prioritet për këtë parti është reformimi i administratës shtetërore, gjegjësisht krijimi i një administrate të vogël në numër, por shumë efektive me shërbimet ndaj qytetarëve.

“Nëse sigurojnë një shumicë prej 80 deputetësh, kjo do të ishte mirë… Mendoj se vendit nuk i duhen më shumë se 12 deri në 13 ministri që do të mbulojnë resorë të caktuar”, vlerëson Davitkovski.

Megjithatë, Davitkovski thotë se kjo do të varet dhe nga qëndrimet e partnerëve të koalicionit.

“Apetitet e partnerëve të koalicionit janë ato që kanë imponuar rritjen e numrit të ministrive, madje dhe krijimin e ministrive pa resor, që të përfshihen partitë më të vogla që kanë ndihmuar marrjen e pushtetit nga partitë më të mëdha”, thekson Davitkovski.

Aktualisht, në Maqedoninë e Veriut funksionojnë 1.371 institucione, përfshirë këtu dhe ministritë.

Në bazë të të dhënave të Regjistrit të Ministrisë së Shoqërisë Informative në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut punojnë 128 mijë e 879 qytetarë, ky numër me personat e punësuar me kontratë pune të kufizuar (kontratë mbi vepër) ky numër arrin në 160 mijë.

Nëse zvogëlohet për 10 për qind numri i të punësuarve në administratën e shtetit, ashtu siç synon VMRO DPMNE-ja, atëherë do të duhet të shuhen 137 institucione, përkatësisht nga puna duhet të largohen rreth 16 mijë administratorë.

Maqedonia e Veriut, aktualisht, ka 16 ministri dhe katër ministra pa resor.

VMRO DPMNE-ja zvogëlimin e të punësuarve në administratën shtetërore synon ta arrijë përmes transferimit të të punësuarve nga sektori publik në atë privat.

Për t’i joshur punëdhënësit që t’i marrin punonjësit e administratës, në programin e VMRO DPMNE-së theksohet se ato kompani që do ta bëjnë këtë, do të lirohen nga pagesa e kontributeve.

“Kjo është një mënyrë e mirë për të hequr qafe mbipunësimin dhe shkarkuar administratën e tejngarkuar me militantë partiakë, gjë që frenon të gjitha reformat e paralajmëruara në këtë sektor. Të kujtojmë se rreth 800 milionë euro në vit shkojnë për sigurimin e 160 mijë pagave për të punësuarit në administratë”, thotë Davitkovski.

Lidhur me këtë, Arben Halili, ish-drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore thotë për Radion Evropa e Lirë se më së lehti do të transferohet ai kuadër që është i kualifikuar.

“Sektori privat ka nevojë për fuqi punëtore, e cila do t’i hyjë menjëherë në punë. Shtatë deri 10 mijë vende të lira ka aktualisht në sektorin privat. Kështu që, lirimi nga puna i administratorëve të tepërt nga sektori publik në atë privat duhet të ndodh, por ama paraprakisht duhet të ndërmerret një masë nga ana e Qeverisë për rikualifikimin e kësaj force punëtore në llogari të shtetit, që ky kuadër të jetë i dobishëm për sektorin privat me këtë dhe i pranueshëm”, thotë Halili.

Në të gjitha raportet e progresit të Komisionit Evropian apostrofohen si vërejtje ngecjet që ka Maqedonia e Veriut sa u përket reformave në administratën shtetërore.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian krahas uljes së numrit të të punësuarve në administratën publike, apostrofohet dhe nevoja e miratimit të një ligji që do të mundësojë digjitalizimin e administratës.

Nëpërmjet digjitalizimit krahas shërbimeve më cilësore dhe në një afat të shkurtër kohor, synohet shmangia e ndikimit politik në avancimin e kuadrit në administratë, përfshirë këtu dhe udhëheqësit e sektorëve, me çka synohet të imponohet meritokracia si kriteri bazë mbi të cilin do të ngrihen në detyrë punonjësit në administratë.

Në pjesë e ligjeve që janë me interes thelbësor për sa i përket realizimit të reformave në administratën shtetërore, që kërkohen nga Komisioni Evropian, nuk arritën të marrin dritën jeshile nga përbërja parlamentare mandati i së cilës kalon këtë muaj.

Ndër to janë Ligji për zyrtarët administrativë, Ligji për të punësuarit në sektorin publik, si dhe Ligji për shërbimin e lartë drejtues, i cili është kyç për depolitizimin e punës së institucioneve publike.

Ligjet janë përgatitur me ndihmën e vendeve të BE-së dhe pikërisht për këtë arsye ekspertët në këtë fushë thonë se Maqedonia e Veriut do të marrë “raportin më negativ” nga Bashkimi Evropian për sa i përket reformën në administratën publike./REL

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit