Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka thënë të enjten për Radion Evropa e Lirë (REL) se është i vetëdijshëm për një takim mes ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, me homologun e vet rus, Sergei Lavrov, më herët gjatë ditës në Moskë.
“Ne nuk besojmë se një vend duhet t’i ofrojë [presidentit rus Vladimir] Putin një platformë për ta promovuar, ose arsyetuar luftën e tij të vazhdueshme agresore kundër Ukrainës,” tha DASH për Radion Evropa e Lirë.
Daçiqi udhëtoi drejt kryeqytetit rus me ftesë të Lavrovit për ta shikuar një ndeshje miqësore në futboll mes ekipeve kombëtare të Serbisë dhe Rusisë të enjten pasdite.
Serbia u bë kombëtarja e parë evropiane që luan ndeshje futbolli në Rusi prej se Moska e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.
Beogradi zyrtar nuk ka pranuar të bëhet pjesë e sanksioneve të Bashkimit Evropian – megjithëse synon të anëtarësohet në të – prej kur blloku filloi ta sanksionojë Rusinë dy vjet më parë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Pas takimit me Lavrovin, Daçiq tha se ruajtja e marrëdhënieve me Rusinë dhe Kinën është “interes jetik shtetëror” për Serbinë.