Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Maqedoninë e Veriut, Alper Aktaş.
Përmes një njoftimi, Kasami bëri të ditur se gjatë takimit janë diskutuar disa çështje me interes të përbashkët, me theks të veçantë në mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe turizmit.
“Turqia është një partner tejet i rëndësishëm për ne. Përveç lidhjeve institucionale, na lidhin edhe vlera të përbashkëta kulturore”, deklaroi Kasami.
Ai theksoi se bashkëpunimi ndërmjet palëve do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim.
“Kontaktet tona do të vazhdojnë me intensitet”, u shpreh kryetari i Tetovës, duke falënderuar ambasadorin Aktaş për vizitën dhe duke i uruar sukses në misionin e tij diplomatik.








