Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se gjatë takimit të fundit me presidentin rus, Vladimir Putin, i ka kërkuar këtij të fundit t’i japë fund agresionit ushtarak rus në territoret evropiane, me shpresën që Rusia dhe Ukraina të arrijnë një marrëveshje paqeje sa më shpejt.
„Gjatë bisedës sime në Kinë me presidentin rus, Vladimir Putin, kalova shumë kohë duke diskutuar se si do të doja që presidenti Putin të ndalte çdo agresion ushtarak ndaj territoreve në Evropë, me shpresën që Rusia dhe Ukraina të mund të arrijnë një marrëveshje – dhe atë shpejt“, shkroi Trump në platformën e tij „Truth Social“.
Ai tha se beson se ekziston një mundësi e madhe për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës.
„Mijëra njerëz vdesin çdo muaj, një MASAKËR E PLOTË, dhe arritja e kësaj marrëveshjeje do të ishte një meritë e madhe për të gjithë të përfshirët!“, shkroi Trump.
Trump shtoi se për bisedimet me Putinin në Kinë e kishte informuar edhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me të cilin u takua mbrëmjen e kaluar në rezidencën e tij në Mar-a-Lago.
Deklarata e Trump vjen pas një serie incidentesh në fillim të javës, kur raketat dhe dronët rusë, gjatë sulmeve ndaj Ukrainës, shkelën hapësirën ajrore të Polonisë.








