Delegacioni i Komisionit të Venecias prej mëngjesit ka filluar takimet në Shkup, me përfaqësues të institucioneve për të mbledhur qëndrimet lidhur me modelin e ri të provimit të jurisprudencës e cila parashikon që teoria të jepet në shqip, ndërsa praktika në maqedonisht. Pas mbledhjes në Zyrën e Këshillit të Evropës në Shkup, delegacioni është takuar me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski, ndërsa më pas me Avokatin e Popullit dhe përfaqësuesin e Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi.
Takimi mbase më i rëndësishëm është në Ministrinë e Drejtësisë, ku krahas ministrit Jeton Shasivari, morën pjesë edhe kryetari dhe anëtarët e Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës. Ministria e Drejtësisë njoftoi se Shasivari në takim ka sqaruar bazën kushtetuese dhe ligjore të iniciativës, argumentimin juridik të modelit të propozuar, si dhe procesin konsultativ të zhvilluar me përfaqësuesit e fakulteteve juridike, dekanët dhe organizatat studentore.
“Ministri Shasivari theksoi se qëllimi kryesor i zgjidhjes së propozuar është sigurimi i qasjes së barabartë në provimin e jurisprudencës për të gjithë kandidatët, pa vënë në pikëpyetje kriteret profesionale, cilësinë dhe integritetin e provimit. Shasivari, potencoi se kërkesa për mendim nga Komisioni i Venecias përbën iniciativë për marrjen e vlerësimit juridik të pavarur, objektiv dhe profesional, me qëllim që të sigurohet një zgjidhje që do të jetë kushtetuese, juridikisht e qëndrueshme dhe e harmonizuar me standardet evropiane”, njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë.
Krahas tyre delegacioni ka realizuar takime edhe me profesorë, studentë, por edhe organizata civile.
Takime të ngjeshura do të ketë edhe nesër. Fillimisht do të takohen me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, koordinatorët e shumicës parlamentare VMRO-VLEN-ZNAM, por edhe të opozitës LSDM, BDI dhe E Majta.
Më pas, do të mbajnë takime me përfaqësuesit e Inspektoratit të Gjuhëve dhe Agjencisë së Gjuhës, por edhe me të Inspektoratit dhe Institutit të Gjuhës Maqedonase. Pastaj do të realizojnë me Këshillin Gjyqësor dhe të Prokurorëve, Odën e Avokatëve, Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe Misionit të OSBE-së në Shkup.
Takimet realizohen para seancës së mbledhjes së 11 dhe 12 dhjetorit të Komisionit të Venecias, në të cilën do të miratohet mendimi për modelin e ri të provimit të jurisprudencës. /Alsat.mk.








