Seanca mbikëqyrëse për rastin e “Alta Bankës” SHA Manastir do të vazhdojë sot në Komisionin për Financim dhe Buxhet të Kuvendit, me fillim në orën 11:00.
Në vazhdimin e seancës pritet të dëgjohen dëshmitë e pjesëmarrësve të tjerë të ftuar nga Komisioni, ndërsa në këtë proces janë përfshirë përfaqësues të institucioneve kompetente dhe përfaqësues të menaxhmentit të bankës.
Kryetarja e Komisionit, deputetja e LSDM-së, Sanja Lukarevska, një ditë para vazhdimit të seancës deklaroi se jo të gjithë të ftuarit e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Ajo theksoi se disa nga dëshmitarët për herë të dytë ndodhen në udhëtime zyrtare pikërisht në kohën kur është caktuar seanca.
Nga ana tjetër, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski, reagoi duke thënë se përgjegjësia për organizimin e seancës dhe sigurimin e pranisë së dëshmitarëve i takon organizatorëve, përkatësisht LSDM-së.
Seanca e parë, e mbajtur më 12 nëntor, u karakterizua nga përplasje të ashpra politike mes pushtetit dhe opozitës. Kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, shkëmbyen akuza lidhur me hyrjen e “Alta Bankës” në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut dhe përgjegjësinë për zhvillimet rreth saj.
Debati i sotëm synon të hedhë më shumë dritë mbi arsyet e vendosjes së administrimit në “Alta Bankën”, rolin e Bankës Popullore dhe përgjegjësinë institucionale për këtë rast.








