Jeton Shasivari i përgjigjet Ali Ahmetit: BDI-ja nuk ka monopol mbi gjuhën shqipe dhe të drejtat e shqiptarëve

Advertisement

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, i është përgjigjur Ali Ahmetit lidhur me debatet për dhënien e Provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar se kjo çështje nuk duhet të shndërrohet në përplasje politike dhe garë për merita partiake.

Në një letër të hapur drejtuar Ahmetit, Shasivari rikujton se çështja e provimit në gjuhën shqipe ka mbetur e pazgjidhur për vite me radhë, pavarësisht se që nga viti 2001, tetë ministra shqiptarë të Drejtësisë kanë pasur përgjegjësinë institucionale për ta trajtuar atë.

Shasivari thekson se si ministër i Drejtësisë synon të gjejë një zgjidhje ligjore, funksionale dhe afatgjatë, duke kundërshtuar, siç thotë, përpjekjet për ta kthyer këtë çështje në pronë partiake.

„BDI-ja nuk ka monopol as mbi Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, as mbi gjuhën shqipe dhe as mbi të drejtat e shqiptarëve”, shkruan Shasivari.

Ai bën të ditur se për këtë çështje është kërkuar edhe një opinion nga Komisioni i Venecias, ndërsa më 27 nëntor Ahmeti do të ketë mundësinë që në Kuvend t’ua përcjellë vërejtjet e tij raportuesve të këtij komisioni.

Ministri thotë se procesi është i hapur dhe gjithëpërfshirës, duke përmendur takimet me dekanët e fakulteteve juridike dhe përfaqësuesit e studentëve.

Në fund, Shasivari thekson se të drejtat gjuhësore nuk mbrohen me deklarata politike, por me zgjidhje të qëndrueshme juridike dhe zbatim të ligjeve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit