Anëtari i VLEN-it, Adnan Azizi, ka kritikuar ashpër ish-kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, lidhur me çështjen e Provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Në një reagim publik, Azizi thekson se gjatë qeverisjes 22-vjeçare të Ali Ahmetit, tetë ministra shqiptarë kanë drejtuar Ministrinë e Drejtësisë, por asnjëri prej tyre nuk ka arritur që Provimi i Jurisprudencës të mundësohet në gjuhën shqipe.
Ai ka renditur emrat e tetë ish-ministrave shqiptarë, duke akuzuar Ahmetin se po përpiqet të paraqitet si mbrojtës i çështjes kombëtare për një problem që, sipas tij, nuk e zgjidhi gjatë viteve të qeverisjes.
„Një njeriu normal do t’i vinte turp të paraqitej në publik për një çështje që nuk e zgjodhi për 22 vjet, me 8 ministra drejtësie”, shkruan Azizi.
Në fund të reagimit, ai thotë se tashmë ka të tjerë që do të merren me Provimin e Jurisprudencës, gjuhën shqipe dhe çështjet që, sipas tij, mbetën të pazgjidhura gjatë qeverisjes së BDI-së.








