Inspektorati Shtetëror i Tregut do të intensifikojë kontrollet ndaj tregtarëve në të gjithë vendin me rastin e fushatës së shitjeve “Black Friday”, për të verifikuar nëse zbritjet e shpallura janë reale dhe në përputhje me ligjin.
Kontrollet e jashtëzakonshme do të përqendrohen te mënyra e reklamimit të uljeve të çmimeve, shënimi i tyre dhe informimi i konsumatorëve për kushtet e ofertave. Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet pajisjeve elektroshtëpiake, telefonave, kompjuterëve, veshmbathjeve, mobilieve dhe produkteve të tjera që gjatë kësaj periudhe ofrohen me çmime të reduktuara.
Inspektorati paralajmëron se do të kontrollojë veçanërisht rastet e zbritjeve të rreme, rritjen e pajustifikuar të çmimeve para uljes së tyre, si dhe reklamat që mund t’i çojnë konsumatorët në mashtrim.
Nga ky institucion u bëhet thirrje tregtarëve që të respektojnë obligimet ligjore dhe të paraqesin çmime e zbritje të qarta dhe transparente. Në rast të konstatimit të parregullsive, do të ndërmerren masa përkatëse ligjore.
Ndërkohë, qytetarët që vërejnë shkelje të të drejtave të konsumatorëve mund t’i paraqesin ato në numrin pa pagesë 191 ose përmes faqes zyrtare www.dpi.gov.mk.
Inspektorati u bën apel qytetarëve që të mos bazohen vetëm te përqindjet e zbritjeve, por të kontrollojnë me kujdes çmimet dhe kushtet e ofertave.








