Kasami: Gjuha shqipe nuk është zyrtare, qëndrimi i BDI-së është dyfytyrësh

Advertisement

Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka deklaruar se gjuha shqipe nuk ka status zyrtar në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa Ligji për përdorimin e gjuhëve parasheh avancimin e përdorimit të saj në fusha të caktuara.

Duke folur në emisionin “Verdict” në TVM2, Kasami tha se VLEN e ka përkrahur Ligjin për Gjuhët përmes deputetëve të saj, por theksoi se ky ligj nuk nënkupton zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe.

“Prandaj ne kemi përkrahur këtë ligj me deputetët tanë. Nuk themi se nuk është avancim, por nuk është zyrtarizim, sepse zyrtarizimi bëhet me Kushtetutë. Pra, aty ku përmendet gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik, duhet të përmendet edhe gjuha shqipe dhe alfabeti latin”, deklaroi Kasami.

Ai e cilësoi si kontradiktor qëndrimin e BDI-së lidhur me provimin e jurisprudencës, duke thënë se kërkesat e kësaj partie për mbajtjen e pjesës praktike të provimit në gjuhën shqipe nuk përputhen, sipas tij, “me zgjidhjen aktuale ligjore”.

Sipas Kasamit, Ligji për gjuhët nuk e zyrtarizon plotësisht gjuhën shqipe, ndaj ai kërkon që çështja të rregullohet në nivel kushtetues.

“Nëse BDI do ta kishte rregulluar në Kushtetutë çështjen e gjuhës shqipe, kjo do të nënkuptonte që provimi i jurisprudencës të jetë në të gjitha fushat edhe në gjuhën shqipe”, tha Kasami.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit