Në Shkup është mbajtur sot mbledhja konstituive e Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve, duke shënuar fillimin zyrtar të funksionimit të një mekanizmi të ri ndërinstitucional që synon rritjen e sigurisë së gazetarëve dhe punonjësve mediatikë në Maqedoninë e Veriut.
Komiteti është formuar me iniciativë të Qeverisë, në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës, me qëllim parandalimin e kërcënimeve, presioneve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, si dhe përmirësimin e reagimit institucional.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi se gazetaria e lirë dhe e sigurt është një nga parakushtet themelore për funksionimin e një shoqërie demokratike.
“Gazetaria e lirë dhe e sigurt nuk është privilegj i gazetarëve, por e drejtë dhe nevojë e çdo shoqërie demokratike. Fuqia e një institucioni nuk matet me atë se sa lavdërohet, por me gatishmërinë e tij për t’u pyetur, kontrolluar dhe thirrur në përgjegjësi”, deklaroi Toshkovski.
Ai theksoi se sulmi ndaj një gazetari për shkak të punës së tij profesionale nuk përbën vetëm sulm ndaj individit, por edhe ndaj së drejtës së qytetarëve për t’u informuar.
Muhamed Ismaili emërohet kryetar i Komitetit Kombëtar
Në krye të Komitetit është caktuar ndihmësministri për Marrëdhënie me Publikun dhe Çështje Strategjike në MPB, Muhamed Ismaili, i cili njëkohësisht është edhe pika kombëtare e kontaktit e Këshillit të Evropës për sigurinë e gazetarëve.
Ismaili sqaroi se Komiteti do të shërbejë si organ koordinues ndërmjet institucioneve të sigurisë, drejtësisë dhe organizatave të gazetarëve.
“Nuk duam të krijojmë një mekanizëm ku institucionet do të bisedojnë vetëm mes tyre për sigurinë e gazetarëve. Duam një mekanizëm ku gazetarët do ta kenë zërin e tyre, ndërsa institucionet detyrimin për ta dëgjuar atë”, theksoi Ismaili.
Një nga prioritetet kryesore të Komitetit do të jetë hartimi dhe zbatimi i Planit Kombëtar të Veprimit për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve, i cili do të përcaktojë masa konkrete, përgjegjësi institucionale, afate dhe rezultate të matshme.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përmirësimit të procedurave për raportimin e kërcënimeve, koordinimit ndërmjet policisë dhe prokurorisë, mbrojtjes nga kërcënimet në internet, si dhe sigurisë së gazetareve, gazetarëve investigativë, lokalë dhe të pavarur.
Gjithashtu, Komiteti do të trajtojë edhe çështjen e padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike, të njohura si SLAPP, të cilat mund të përdoren për frikësimin dhe heshtjen e gazetarëve.
Në përbërje të Komitetit janë përfaqësues të MPB-së, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Transformimit Digjital, Prokurorisë Publike, Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, Radiotelevizionit të Maqedonisë, Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë.
Formimi i këtij mekanizmi mbështetet edhe nga Këshilli i Evropës, në kuadër të nismave për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe fushatës evropiane “Journalists Matter”.
Qëllimi përfundimtar është krijimi i një sistemi ku gazetarët mund ta ushtrojnë profesionin e tyre lirshëm dhe pa frikë, ndërsa çdo kërcënim apo sulm ndaj tyre të marrë përgjigje të duhur dhe në kohë nga institucionet.








