Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orçe Gjorgjievski, ka zhvilluar sot takime me të rinjtë, përfaqësues të sektorit joqeveritar, bashkësive urbane dhe lokale, pensionistë, përfaqësues të biznesit dhe punonjës të kulturës, me qëllim përfshirjen e propozimeve të tyre në hartimin e buxhetit të qytetit për vitin 2027.
Gjorgjievski thekson se në këto takime qytetarëve u kërkohet të shprehin prioritetet dhe nevojat e tyre, duke përmendur si shembuj rinovimin e rrugëve, hapësirat sportive dhe shtimin e sipërfaqeve të gjelbra nëpër lagje.
Ai bën të ditur se në buxhetin e ri do të parashikohen mjete edhe për projekte kapitale në infrastrukturë, kulturë, sport dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor.
Sipas tij, krahas investimeve të mëdha, rëndësi do t’u kushtohet edhe ndërhyrjeve më të vogla, si rregullimi i një rruge apo një lagjeje, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e banorëve.
„Shkupin e ndërtojmë së bashku“, është mesazhi me të cilin Gjorgjievski u ka bërë thirrje qytetarëve të përfshihen me ide, propozime dhe vërejtje për atë që duhet të realizohet gjatë vitit të ardhshëm.








