Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, së bashku me Ambasadorin e Republikës së Kosovës, Sh.T. z. Florian Qehaja, morën pjesë në manifestimin festiv për 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit Shqip. Manifestimin e organizoi Shkolla Fillore “Petar Zdravkovski – Penko” në Butel. Të pranishëm ishin edhe drejtuesit e shkollës, mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit.
Sulejmani theksoi rëndësinë e Kongresit të Manastirit të vitit 1908, të cilin e cilësoi si një nga ngjarjet më madhore të historisë kombëtare. Sipas tij, ai kongres hodhi themelet e njësimit të alfabetit shqip dhe i hapi rrugë zhvillimit të arsimit, kulturës dhe vetëdijes kombëtare.
Ai tha se gjuha shqipe është një nga vlerat më të çmuara të identitetit shqiptar, dhe se ruajtja e kultivimi i saj është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve arsimore, mësimdhënësve, prindërve dhe gjithë shoqërisë.
Sulejmani shtoi se përkushtimi për avancimin e arsimit në gjuhën amtare është i vazhdueshëm. Sipas tij, kjo përfshin kushte më të mira në shkolla dhe mundësi të barabarta për arsim cilësor për çdo fëmijë.
Ai shprehu mirënjohje të veçantë për drejtoreshën Mevlide Kryeziu, mësimdhënësit dhe nxënësit për organizimin e manifestimit dhe për përkushtimin në ruajtjen e promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare.
“Alfabeti na dha shkronjat, arsimi na jep dijen, ndërsa dija na jep fuqinë për të ndërtuar të ardhmen”, shkroi Sulejmani, duke uruar Ditën e Alfabetit Shqip.








