Në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup është mbajtur AI Developer Day 2026, një aktivitet kushtuar inteligjencës artificiale dhe zhvillimit modern të softuerit, i organizuar nga Albanian Azure User Group (AAUG) në bashkëpunim me universitetin.
Aktiviteti është përcjellë me interesim të madh, ndërsa salla ishte e mbushur me të rinj dhe studentë të interesuar për zhvillimet në fushën e teknologjisë.
Në hapje të ngjarjes foli organizatori Fisnik Doko, profesor në UNT, ndërsa të pranishmëve iu drejtua edhe rektori i universitetit, Prof. Dr. Bekim Fetaji.
Në kuadër të programit u mbajtën katër prezantime nga Fati Iseni, Muhamed Shabani, Rilind Kaba dhe Merxhan Bajrami. Ata trajtuan tema që lidhen me aplikacionet e bazuara në inteligjencën artificiale, zhvillimin e agjentëve AI, përdorimin e GitHub Copilot dhe aplikacionet me komandim zanor.
Përmes prezantimeve dhe demonstrimeve praktike, pjesëmarrësit patën mundësi të njihen me mundësitë dhe risitë që sjell inteligjenca artificiale në zhvillimin e teknologjisë.
Nga Universiteti “Nënë Tereza” vlerësojnë se pjesëmarrja e madhe dhe interesimi i të rinjve dëshmojnë potencialin e tyre për të kontribuar në zhvillimin e teknologjive të së ardhmes.









