Në Galerinë e Arteve në Tetovë hapet ekspozita “Toka”, marrin pjesë 29 artistë

Advertisement

29 artistë nga Kërçova, Gostivari, Tetova dhe Shkupi kanë prezantuar krijimtarinë e tyre në ekspozitën kolektive “Toka”, e cila u hap mbrëmë në Galerinë e Arteve në Tetovë. Ekspozita, e organizuar në kuadër të Festave të Nëntorit, do të jetë e hapur për vizitorët deri më 24 nëntor.

Ekspozita sjell punime në pikturë, grafikë, dizajn grafik, mozaik dhe fotografi digjitale, përmes të cilave artistët trajtojnë tokën si simbol të rrënjëve, identitetit, kujtesës dhe përkatësisë.

Në hapjen solemne, U.D. Drejtoresha së Galerisë së Arteve, Arbenita Meta, tha se organizimi i kësaj ekspozite është një mundësi për të shënuar muajin nëntor përmes artit dhe kulturës, duke theksuar se toka lidhet me vendin ku kemi lindur, historinë tonë dhe kujtimet që mbartim.

Meta falënderoi Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit për mbështetjen financiare, artistët që iu përgjigjën ftesës për pjesëmarrje, si dhe ekipin e Galerisë për angazhimin në realizimin e ekspozitës.

Konceptin e ekspozitës e prezantoi kuratorja Shega Memeti Sadullai, e cila në tekstin kuratorial thekson se “Toka” është një homazh artistik ndaj tokës që na rrit, rrënjëve që na përcaktojnë dhe kujtesës që formëson vetëdijen tonë.

Sipas saj, veprat nuk paraqesin një interpretim të vetëm të temës, por ndërtojnë një dialog përmes qasjeve, vizioneve dhe gjuhëve të ndryshme artistike. Përmes elementeve si forma, ngjyra, drita, tekstura dhe materialet, secili artist sjell një përjetim individual, duke e kthyer ekspozitën në një hapësirë të përbashkët reflektimi.

Ekspozita “Toka” mbetet e hapur për publikun deri më 24 nëntor 2026, në ambientet e Galerisë së Arteve në Tetovë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit