Emërohen drejtorë të rinj në tri klinika universitare në Shkup

Advertisement

 

Shkup, 17 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ka pritur sot drejtorët e sapoemëruar të tri institucioneve publike shëndetësore universitare: Klinikës Universitare për Gastroenterohepatologji, Klinikës Universitare për Kirurgji Digjestive dhe Klinikës Universitare për Kirurgji Plastike dhe Rekonstruktive.

Në krye të Klinikës Universitare për Gastroenterohepatologji është emëruar prof. dr. Vladimir Andrevski, specialist internist dhe subspecialist i gastroenterohepatologjisë. Ai është udhëheqës i repartit të endoskopisë në klinikë dhe sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Maqedonase për Gastroenterohepatologji. Andrevski është autor i më shumë se 120 punimeve shkencore të recensuara në revista vendore dhe ndërkombëtare dhe njihet për ekspertizën e tij në endoskopinë intervenuese dhe ERCP.

Drejtor i Klinikës Universitare për Kirurgji Digjestive është emëruar dr. Pançe Karagjozov, specialist i kirurgjisë digjestive, i cili ka kryer trajnim profesional për kirurgji laparoskopike në Vjenë dhe Stamboll dhe ka marrë pjesë në mënyrë aktive në kongrese ndërkombëtare nga fusha e koloproktologjisë dhe kirurgjisë hepatobiliare.

Ndërkaq, në krye të Klinikës Universitare për Kirurgji Plastike dhe Rekonstruktive është emëruar dr. Blagoja Srbov, specialist i kirurgjisë plastike dhe rekonstruktive, asistent në Katedrën e Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup dhe një nga themeluesit e Asociacionit Maqedonas për Mikrokirurgji Rekonstruktive (MARM).

Ministri Klekovski uroi drejtorët e rinj për emërimin dhe theksoi se prej tyre pritet menaxhim i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm i klinikave, futje e metodave dhe procedurave të reja, shkurtim i listave të pritjes dhe rritje e besimit të pacientëve në sistemin shëndetësor.

Më herët gjatë ditës, ministri zhvilloi takime edhe me drejtoreshat e deritanishme, prof. dr. Meri Trajkovska dhe prim. dr. Jasmina Gjorgjievska-Pavllovska, të cilave u shprehu mirënjohje për bashkëpunimin dhe rezultatet e arritura në drejtimin e klinikave. Falënderim iu drejtua edhe ish-drejtorit të Klinikës për Kirurgji Digjestive, prof. dr. Ognen Kostovski.

Klekovski theksoi se Kostovski dhe Gjorgjievska-Pavllovska, së bashku me ekipet e tyre, ishin në vijën e parë gjatë përballjes me pasojat e tragjedisë në Koçan, ndërsa nën drejtimin e Trajkovskës në Klinikën për Gastroenterohepatologji janë vënë në zbatim katër metoda të reja të trajtimit.

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit