Të dhënat personale nuk mbrohen sa duhet

Advertisement

Enti Shtetëor i Revizionit ka konstatuar dobësi serioze në implementimin e masave dhe kontrolleve të sigurisë në sistemin TI të Agjencisë së punësimit, të cilat rrezikojnë nivelin e mbrojtjes së informacioneve dhe burimeve të TI-së.

Me revizionin e performancës, i cili përfshiu periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2024, është konstatuar se Agjencia përballet me kapacitete të pamjaftueshme njerëzore dhe teknike, dobësi në menaxhimin e sigurisë së informacionit dhe mekanizma të pazhvilluar sa duhet për mbrojtjen dhe vazhdimësinë e punës.

Një nga problemet më serioze është mungesa e kuadrit të mjaftueshëm në Sektorin qendror të Informatikës. Nga shtatë pozitat e parapara të punës, janë plotësuar vetëm dy, përkatësisht 28,57 për qind. Për më tepër, gjatë tre viteve të fundit nuk janë realizuar trajnime për kuadrin e TI-së dhe nuk ekziston as program i dokumentuar për avancimin e vazhdueshëm të njohurive dhe aftësive të të punësuarve.

Revizorët theksojnë gjithashtu investimet e pamjaftueshme në mirëmbajtjen e sistemeve TI, pavarësisht se në periudhën nga viti 2020 deri në vitin 2025 janë realizuar dhe kanë filluar kontrata për furnizime që lidhen me infrastrukturën TI, sistemin e sigurisë dhe shërbimet e komunikimit, në vlerë të përgjithshme prej 171,2 milionë denarës, përkatësisht rreth 2,78 milionë euro.

Sipas revizionit, veçanërisht shqetësues është fakti se sistemi për një periudhë prej 293 ditësh, përkatësisht 15,7 për qind të periudhës së analizuar, nuk ka qenë i mbuluar me kontratë për mirëmbajtje preventive dhe adaptive.

Janë konstatuar dobësi në menaxhimin e të dhënave personale, qasjeve të përdoruesve dhe sigurisë së rrjetit, si dhe nevojë për përmirësimin e procedurave dhe kontrolleve për menaxhimin e qasjes në burimet informative.

Në pjesën e mbrojtjes së të dhënave personale, është konstatuar nevoa për përmirësimin e mekanizmave për monitorimin dhe kontrollin e qasjes, si dhe të procedurave për ruajtjen, arkivimin dhe fshierjen e të dhënave në përputhje me afatet ligjore.

Revizorët kanë konstatuar nevojën për forcimin e mekanizmave për kopjimin rezervë dhe rikthimin e të dhënave, si dhe për vendosjen dhe testimin e rregullt të planeve për vazhdimësinë e punës. Testimi i rregullt i mundësisë për rikthimin e të dhënave dhe vendosja e procedurave përkatëse janë të rëndësishme për sigurimin e vazhdimësisë së shërbimeve TI dhe zvogëlimin e rreziqeve në rast të ndërprerjes ose ndonjë ngjarjeje të paparashikuar.

Sipas ESHR-së, nevojitet edhe përmirësimi i kushteve për mbrojtjen fizike të infrastrukturës TI dhe sigurimi i masave përkatëse për mbrojtjen dhe funksionimin pa pengesa të pajisjeve TI.

Për tejkalimin e gjendjeve të konstatuara, janë dhënë rekomandime për forcimin e kapaciteteve TI dhe menaxhimit të TI-së, përmirësimin e kontrolleve dhe procedurave të sigurisë, si dhe avancimin e mekanizmave për kopjimin rezervë, rikthimin e të dhënave dhe vazhdimësinë e punës. Realizimi i rekomandimeve duhet të kontribuojë në menaxhimin më efektiv të rreziqeve të TI-së dhe sigurimin e një niveli më të lartë të mbrojtjes, stabilitetit dhe vazhdimësisë së sistemit informativ të Agjencisë.

Në ndërkohë, më 13 nëntor 2026, drejtori i Agjencisë për Punësim ka dorëzuar informacione për masat e ndërmarra pas raportit përfundimtar të revizionit. Njoftimi është regjistruar me numër 13-1044/7, më 5 nëntor 2026 dhe i është bashkëngjitur komunikatës së Entit Shtetëror të Revizionit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit