Në Galerinë e Arteve në Tetovë u hap ekspozita “Këmbanat ekologjike”, një alarm artistik për mbrojtjen e ujit dhe natyrës

Advertisement

Në Galerinë e Arteve në Tetovë, më 13 nëntor 2026, u hap ekspozita “Këmbanat ekologjike”, një projekt artistik që ndërthur artin bashkëkohor, riciklimin dhe ndërgjegjësimin ekologjik, duke përcjellë një mesazh të fuqishëm për mbrojtjen e burimeve ujore, reduktimin e mbeturinave plastike dhe ruajtjen e mjedisit jetësor, përcjell tetova1

Ekspozita u prezantua në kuadër të aktivitetit “Vardar Day”, pjesë e Programit Zviceran për Menaxhimin, Shfrytëzimin dhe Mbrojtjen e Ujërave. Instalacioni është realizuar në bashkëpunim mes artistit Nehat Beqiri, ideator i veprës, dhe Behar Feratit, kurator i ekspozitës, ndërsa pjesë e saj është edhe artistja dhe aktivistja ekologjike nga Zvicra, Sharllot Kin.

Pjesa qendrore e ekspozitës përbëhet nga rreth 800 shishe plastike të ricikluara, të vendosura mbi një basen me ujë dhe të varura në formën e një qielli mbi vizitorët. Përmes këtij instalacioni, materiali që zakonisht konsiderohet mbeturinë shndërrohet në një vepër arti me vlerë estetike dhe simbolike.

Duke prezantuar konceptin e veprës, kuratori Behar Ferati theksoi se “Këmbanat ekologjike” nuk janë vetëm objekte artistike, por simbole që paralajmërojnë për gjendjen e mjedisit dhe na ftojnë të reflektojmë mbi përgjegjësinë tonë ndaj natyrës.

Duke iu referuar romanit të njohur të Ernest Hemingwayt, “Për kë bien kambanat”, Ferati bëri një paralele mes mesazhit të veprës letrare dhe projektit artistik, duke nënvizuar se ashtu siç jemi të lidhur mes vete, edhe dëmtimi i natyrës dhe ekosistemeve prek të gjithë shoqërinë.

“Kambanat e këtij instalacioni nuk janë vetëm objekte artistike, por simbole që na ftojnë të reflektojmë për përgjegjësinë tonë ndaj natyrës”, theksoi Ferati.

Ai shpjegoi se instalacioni është konceptuar si një qiell i veçantë që qëndron mbi vizitorët, duke përcjellë idenë se ajo që sot e lëmë nën këmbët tona, nesër mund të na gjendet mbi kokë. Qindra elementet e varura aktivizohen nga lëvizja e ajrit, duke krijuar tinguj të ngjashëm me kambanat dhe duke e bërë publikun pjesë të drejtpërdrejtë të veprës.

Sipas Feratit, riciklimi nuk është thjesht një mënyrë për ripërdorimin e materialeve, por pjesë thelbësore e mesazhit artistik.

“Kjo vepër dëshmon se arti mund t’i japë një jetë dhe kuptim të ri asaj që shoqëria e konsideron të pavlerë. Me këtë instalacion synojmë të nxisim reflektimin dhe ndërgjegjësimin kolektiv për reduktimin e mbetjeve plastike, mbrojtjen e burimeve ujore dhe ruajtjen e natyrës për brezat e ardhshëm”, u shpreh ai.

Në realizimin e këtij projekti kanë kontribuar edhe vullnetarë, nxënës të shkollave të mesme, studentë, punonjës të Universitetit të Evropës Juglindore dhe qytetarë, të cilët u bënë pjesë e procesit krijues.

Një tjetër pjesë e ekspozitës është vepra e artistes dhe aktivistes ekologjike Sharllot Kin, e krijuar gjatë muajit mars në Shkup. Përmes një pëlhure disa metra të gjatë dhe një videoje të performancës së saj skenike-muzikore, Kin i kushton vëmendje lumit Vardar dhe rëndësisë së tij për jetën dhe ekosistemet.

Duke shpjeguar mesazhin e veprës së saj, Kin theksoi se Vardari është arteria kryesore ujore e vendit, që përshkon një rrugë nga malet pranë Vrutokut deri në Detin Egje, por rëndësia e tij shpesh kalon pa u vërejtur nga qytetarët.

“Vepra ime i kushtohet lumit Vardar, i cili mbart pjesën më të madhe të ujërave në vend, nga malet pranë Vrutokut deri në Detin Egje. Megjithëse është arteria kryesore ujore, si shumë lumenj të tjerë, shpesh kalojmë pranë tij pa e vërejtur vërtet”, u shpreh Kin.

Ajo shtoi se përmes performancës synoi t’i mundësojë publikut ta përjetojë lumin në një mënyrë tjetër, përmes lëvizjes, ritmit dhe jetës së tij.

“Duke bashkuar artin me teknologjinë moderne digjitale, dëshirova të rrëfej një tregim për lumin jo vetëm përmes të dhënave, por edhe përmes shqisave dhe emocioneve. Uji nuk është thjesht një burim, por vlerë, lëvizje dhe jetë”, theksoi artistja.

Mbështetja e kësaj ekspozite lidhet edhe me përpjekjet për hartimin e Planit të parë për menaxhimin e pellgut të lumit Vardar, i cili përfshin pothuajse 80 për qind të trupave ujorë në vend. Programi zbatohet në kuadër të bashkëpunimit mes Qeverisë së Zvicrës dhe institucioneve të Maqedonisë së Veriut.

Lideri i ekipit të Programit për Ujërat, Jan Kviatkovski, theksoi se përmes kësaj ekspozite synohet që qytetarët jo vetëm t’i mbrojnë dhe t’i përdorin me përgjegjësi burimet ujore, por edhe të përfshihen në procesin e hartimit të planit, pasi prej tij varet cilësia e ujit të pijshëm, uji për ujitje dhe trashëgimia që do t’u lihet brezave të ardhshëm.

Ekspozita “Këmbanat ekologjike” dëshmon se arti mund të shërbejë edhe si instrument ndërgjegjësimi dhe thirrje për përgjegjësi kolektive, duke rikujtuar se mbrojtja e ujit dhe natyrës është përgjegjësi e përbashkët.

Ekspozita në Galerinë e Arteve Tetovë, do të qëndroj e hapur deri më 17 nëntor 2026./tetova1.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit