Shkupi do të shndërrohet në qendër të teatrit shqiptar nga 16 deri më 22 nëntor, kur do të mbahet edicioni i katërt i Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu”.
Në Teatrin Shqiptar në Shkup do të prezantohen dhjetë shfaqje nga trupa teatrore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Preshevës, me pjesëmarrjen e mbi 100 aktorëve.
Drejtori i Teatrit Shqiptar në Shkup, Ismet Ramdani, gjatë konferencës për media prezantoi programin e festivalit, duke theksuar se publiku do të ketë mundësi të ndjekë shfaqje të zhanreve të ndryshme, ndërsa në disa mbrëmje do të ketë nga dy shfaqje, në orën 18:00 dhe 20:00.
Festivali do të hapet më 16 nëntor, në orën 20:00, me shfaqjen “Drejtësi në Nurenberg” të Teatrit Kombëtar të Tiranës.
Gjatë ditëve në vijim do të prezantohen edhe shfaqjet “Amour”, “Pylli”, “Sytë e ujkut”, “Duke pritur Godonë”, “Hamleti”, “Mytma burrin”, “Magjistari i Ozit” dhe “Romeo dhe Xhulieta”.
Festivali do të përmbyllet më 22 nëntor me shfaqjen “Përtej hekurave” të Teatrit Shqiptar në Shkup.
Mbështetja financiare për këtë edicion është dy milionë denarë, ndërsa juria përbëhet nga aktorja Anila Disha, Osman Ahmeti dhe Shkëlzen Veseli. Në përfundim të festivalit do të ndahen shtatë çmime.
Festivali organizohet nga Teatri Shqiptar në Shkup, Teatri Kombëtar i Tiranës dhe Teatri Kombëtar i Kosovës.








