Nga e hëna do të punojë edhe ekspozitura e “ALTA Bankës” në Prilep

Advertisement

Banka Popullore njofton se nga e hëna, më 16 nëntor, do të fillojë punën edhe ekspozitura e Alta Bankës në Prilep. Në këtë ekspoziturë, klientët që kanë llogari pagesore, por nuk posedojnë kartelë bankare, do të mund të tërheqin para të gatshme deri në 20.000 denarë, brenda një periudhe dyjavore, në përputhje me limitin e përcaktuar.

Vazhdojnë të punojnë edhe filialet e „ALTA Bankës“ SHA Manastir në Strumicë dhe Tetovë, si dhe ekspozitura në Shkup, në Qendrën Tregtare „Biser“. Në këto ekspozitura, klientët mund të tërheqin para të gatshme në sportele, brenda kufizimeve të përcaktuara, si dhe të kryejnë pagesa për shërbimet komunale, këstet e kredive dhe nevoja të tjera.

“Kujtojmë se, në kuadër të aktiviteteve për lehtësimin e qasjes në mjetet financiare dhe mundësimin e përmbushjes së papenguar të obligimeve të përditshme financiare, nga 10 nëntori klientët e Bankës mund t’i përdorin shërbimet e bankimit elektronik dhe mobil. Ndërkaq, vazhdojnë të vlejnë limitet e përcaktuara: deri në 15.000 denarë në javë për klientët që posedojnë kartela bankare dhe deri në 20.000 denarë brenda dy javëve për klientët që nuk posedojnë kartela bankare”, thonë nga BP.

Limitet zbatohen në mënyrë të përbashkët për të gjitha llogaritë e klientit në Bankë dhe përfshijnë të gjitha kanalet e pagesave dhe tërheqjes së mjeteve: pagesat me kartela nëpër dyqane dhe përmes internetit, tërheqjen e parave të gatshme nga bankomatet dhe sportelet e ekspoziturave, si dhe pagesat përmes bankimit elektronik dhe mobil.

Gjithashtu, personat fizikë mund t’i përdorin plotësisht mjetet e reja që u transferohen në llogaritë e tyre në “ALTA Bankën” SHA Manastir, nëse këto mjete vijnë nga llogari pagesore të hapura në banka të tjera dhe te ofrues të tjerë të shërbimeve të pagesave. Kjo do të thotë se qytetarët mund t’i përdorin pa kufizim në shumë mjetet që u transferohen në llogaritë e tyre mbi këtë bazë.

Sa u përket lehtësimeve për kompanitë, është mundësuar pagesa e pagave, së bashku me pagesën e tatimeve dhe kontributeve përkatëse, për kompanitë që gjatë tre muajve të fundit kanë paguar rregullisht pagat përmes llogarive të tyre pagesore në Bankë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit