Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, në kuadër të vizitës së punës në Gjermani, zhvilloi një takim me Anette Kramme, Sekretare Parlamentare e Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve të Gjermanisë.
Në takim u diskutua për proceset aktuale reformuese në gjyqësor, forcimin e sundimit të ligjit, pavarësinë dhe efikasitetin e institucioneve të drejtësisë, si dhe sfidat në zbatimin e reformave në përputhje me standardet evropiane.
Vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe zbatimin e praktikave të mira nga sistemi gjerman i drejtësisë.
Ministri Shasivari theksoi rëndësinë e Gjermanisë si partnere në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar se reformat duhet të sjellin ndryshime thelbësore në funksionimin e institucioneve.
“Suksesi i reformave në drejtësi nuk matet vetëm me numrin e ligjeve të miratuara, por me zbatimin e tyre në praktikë. Synimi ynë është një sistem drejtësie që garanton siguri juridike, trajtim të barabartë para ligjit dhe besim më të madh të qytetarëve në institucione”, theksoi ministri Shasivari.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm institucional dhe mbështetjes në procesin e harmonizimit të legjislacionit kombëtar me standardet evropiane.
Ministria e Drejtësisë vazhdon aktivitetet për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, me fokus në rezultate konkrete në procesin e reformave dhe forcimin e sundimit të ligjit.








