Gjorgjievski: Mbi 30 mijë qytetarë pastruan Shkupin në mbi 50 lokacione – Ata që krijojnë deponi, le të marrin shembull nga fëmijët!

Advertisement

Mbi 30 mijë qytetarë janë bashkuar në aksionin masiv për pastrimin e Shkupit, i cili është zhvilluar në më shumë se 50 lokacione të kryeqytetit. Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, e ka cilësuar këtë si aksionin më masiv të pastrimit, duke theksuar se qytetarët kanë dëshmuar se bashkimi dhe përgjegjësia mund ta bëjnë qytetin më të pastër.

Përmes një postimi në Facebook, Gjorgjievski ka bërë të ditur se gjatë ditës ka qenë në Vodno, ku së bashku me nxënësit ka marrë pjesë në pastrimin e mbeturinave.

“Edhe sot lamë shembull, jo mbeturina! Mbi 30 mijë njerëz punëtorë u bashkuan sërish në aksionin më masiv për pastrimin e Shkupit. Në mbi 50 lokacione treguam sa fuqi ka një qytet kur njerëzit bashkohen për të mirën e përbashkët”, ka shkruar Gjorgjievski.

Ai ka vlerësuar veçanërisht angazhimin e nxënësve, duke thënë se fëmijët kanë dhënë një mësim të madh për përgjegjësinë dhe dashurinë ndaj qytetit.

Një mesazh të drejtpërdrejtë Gjorgjievski ua ka dërguar edhe qytetarëve që hedhin mbeturina në mënyrë të pandërgjegjshme dhe krijojnë deponi të egra.

“Atyre që në mënyrë të pandërgjegjshme krijojnë deponi, u them t’i shikojnë këta fëmijë dhe të marrin shembull prej tyre. Tregoni se e doni Shkupin duke e ruajtur atë. Detyra jonë është t’u lëmë një qytet më të pastër”, ka theksuar ai.

Kryetari i Shkupit ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin, duke paralajmëruar vazhdimin e aksioneve të pastrimit me përfshirjen e një numri edhe më të madh qytetarësh.

“Shkupi duhet me vepra, jo vetëm me fjalë. Sot, mijëra njerëz e dëshmuan këtë”, është mesazhi përmbyllës i Gjorgjievskit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit