Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, ku në kuadër të panelit të diskutimit me temë “Mbrojtja e vijës së parë: Sovraniteti në epokën e kërcënimeve hibride”, ka folur për sfidat e sigurisë, sovranitetin dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Ajo theksoi se bota ndodhet në një periudhë të transformimit të thellë, ku modelet e vjetra janë shteruar, ndërsa të rejat ende nuk janë formësuar plotësisht.
Duke iu referuar konceptit të Antonio Gramscit për “interregnum”, Siljanovska-Davkova paralajmëroi se periudha të tilla krijojnë hapësirë për vakum politik dhe rreziqe gjeopolitike. Siç tha ajo, “vakumi politik nuk zgjat kurrë shumë”, ndërsa kjo vlen veçanërisht për Ballkanin.
Duke folur për perspektivën evropiane të rajonit, presidentja theksoi se vendet e të ashtuquajturit Ballkan Perëndimor nuk janë periferi e Evropës, por pjesë e saj natyrore gjeografike, historike dhe kulturore.
Ajo rikujtoi se Maqedonia e Veriut ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE prej 21 vitesh dhe se deri më tani ka marrë 17 raporte pozitive, por pavarësisht kësaj ende nuk i ka nisur negociatat për anëtarësim.
Duke iu referuar ndryshimeve të shumta kushtetuese, Siljanovska-Davkova ngriti edhe çështjen e sovranitetit dhe legjitimitetit demokratik, duke theksuar se Kushtetuta nuk është vetëm akti më i lartë juridik, por edhe një kontratë shoqërore.
“Sovraniteti im buron nga qytetarët dhe u përket qytetarëve. Edhe legjitimiteti im buron prej tyre”, deklaroi presidentja, duke bërë thirrje për sundim të ligjit dhe respektim të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Sipas saj, Bashkimi Evropian nuk duhet vetëm t’u kërkojë vendeve të Ballkanit Perëndimor të jenë më rezistente ndaj kërcënimeve, por duhet të kontribuojë në forcimin e qëndrueshmërisë së tyre përmes përshpejtimit të procesit të integrimit evropian.
Presidentja paralajmëroi se në botën e sotme, të karakterizuar nga inteligjenca artificiale, digjitalizimi dhe format e reja të kërcënimeve hibride, përgjigjja nuk mund të mbështetet vetëm në rezistencën ndaj faktorëve të jashtëm, por edhe në forcimin e demokracisë dhe institucioneve brenda vendit.
Duke iu përgjigjur pyetjes për protestat në disa vende evropiane, ku të rinjtë janë veçanërisht aktivë, ajo theksoi se të rinjtë nuk duhet të trajtohen vetëm si e ardhmja, por si pjesëmarrës të barabartë në të tashmen dhe në proceset e vendimmarrjes.
Sipas saj, raporti me të rinjtë duhet të bazohet në respekt, barazi, inkurajim dhe përfshirjen e tyre aktive në marrjen e vendimeve. Ajo vlerësoi se dialogu ndërmjet brezave është parakusht për mbijetesë në një botë që nuk mund të ndërtohet më mbi izolimin.
Në përfundim, Siljanovska-Davkova theksoi se Evropa nuk mund të jetë e plotë pa një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe demokratik, ndërsa siguria evropiane nuk mund të ndahet nga siguria e rajonit.
Në panel morën pjesë edhe presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, dhe kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan.








