Tetovë, 09 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka bërë të ditur se janë rritur pagat e zjarrfikësve me 30 për qind, ndërsa pagat e të punësuarve në Komunën e Tetovës janë rritur me nga 7 për qind, për tri vite radhazi.
Kasami, përmes një njoftimi, tha se rritja e pagave të zjarrfikësve është bërë si vlerësim për kontributin dhe sakrificën e tyre në shërbim të qytetarëve.
“Rritëm pagat e zjarrfikësve për 30%, duke vlerësuar kontributin dhe sakrificën e tyre në shërbim të qytetarëve!”, deklaroi Kasami.
Në të njëjtin njoftim, kryetari i Tetovës theksoi se rritja e pagave të punonjësve të administratës komunale me 7 për qind është realizuar për tri vite radhazi.
“Rritëm pagat e të punësuarve në Komunën e Tetovës me 7%, për tri vite radhazi, duke përmirësuar kushtet dhe mirëqenien e punonjësve komunal!”, tha Kasami.
Sipas tij, masat synojnë përmirësimin e kushteve të punës dhe mirëqenies së të punësuarve, si dhe vlerësimin e kontributit të tyre në ofrimin e shërbimeve për qytetarët e Tetovës. përcjell Zhurnal.mk .








