Investime të reja në shërbimet shëndetësore

Advertisement

Në Repartin e Gjinekologjisë dhe Ambulancën e Endokrinologjisë janë instaluar pajisjet e porositura, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, ka deklaruar drejtori Mersim Koleci

Vjollca SADIKU

Dibër, 9 nëntor – Drejtoria e Spitalit të Përgjithshëm në Dibër ka informuar se janë siguruar pajisje të reja për Repartin e Gjinekologjisë dhe Ambulancën e Endokrinologjisë. Sipas drejtorit të spitalit, Mersim Koleci, bëhet fjalë për pajisje shumë të nevojshme, të cilat deri më tani i kanë munguar këtij institucioni shëndetësor. Në Repartin e Gjinekologjisë dhe Ambulancën e Endokrinologjisë janë instaluar pajisjet e porositura, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, ka deklaruar drejtori Mersim Koleci.

“Në Repartin e Gjinekologjisë, në aparatin e ultrazërit (EHO), u instalua një sondë e re për ekzaminime, si dhe u përditësua softueri në versionin më të ri (versioni aktual ishte i vitit 2016), duke mundësuar imazhe më të qarta dhe më të shpejta gjatë kontrolleve. Gjithashtu, u instalua printer termik Sony, përmes të cilit pacientët do të mund të pajisen me imazhe të printuara nga ekzaminimet e kryera. Po ashtu, ka pajisje të reja moderne edhe në Ambulancën e Endokrinologjisë. Aty u instalua printer termik Sony, i cili mundëson printimin e imazheve gjatë ekzaminimeve, duke u ofruar pacientëve dokumentim vizual të kontrolleve të tyre. Angazhimi ynë mbetet i vazhdueshëm për pajisjen e institucionit me aparatura sa më moderne, bashkëkohore dhe praktike, në funksion të nevojave të mjekëve dhe pacientëve tanë”, tha drejtori Koleci për gazetën KOHA.

Njëherësh, gjatë këtyre ditëve, ky institucion shëndetësor bëri edhe hapjen e ambienteve të reja të shërbimit të vaksinimit. Drejtori Koleci tha se: “Ky investim ka një rëndësi të veçantë, pasi bëhet fjalë për një repart që përfaqëson një nga shtyllat kryesore për parandalimin e sëmundjeve, mbrojtjen e shëndetit dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të shëndetshme për gjeneratat e reja. Do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për përmirësimin e kushteve dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, në shërbim të qytetarëve të Dibrës dhe rajonit. Investimi në shëndetin e fëmijëve është investim për të ardhmen tonë”, u shpreh ai.

Drejtori Mersim Koleci theksoi se drejtoria, në bashkëpunim me Ministrinë, vazhdon të angazhohet edhe për sigurimin e pajisjeve të tjera të nevojshme për pacientët. Po ashtu, sipas tij, një angazhim parësor mbetet sigurimi i mjekëve specialistë në repartet ku ata mungojnë. Në interes të pacientëve, në bashkëpunim me Spitalin e Strugës, janë angazhuar mjekë specialistë në repartet ku ka nevojë për ta. (koha.mk)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit