Mickoski: Është e pahijshme të fyhen profesorët, Qeveria është mike dhe mbështetëse e studentëve

Advertisement

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske se cili është komenti i tij për deklaratën e Blendi Hodait lidhur me shujtën studentore, deklaroi:

„E kam dëgjuar deklaratën jo vetëm të këtij personi, por edhe të individëve të tjerë. Në rastin më të mirë, si profesor i rregullt universitar, pedagog dhe prind, mund të them se u befasova në mënyrë të pakëndshme, madje do të thosha se u shokova, sepse të fyesh në atë mënyrë, siç bëri ai, profesorët e rregullt universitarë, duke qenë se edhe ministrja e Arsimit edhe unë si kryetar i Qeverisë, jemi profesorë të rregullt universitarë dhe kemi ndihmuar breza të tërë studentësh të fitojnë njohuri, të cilat më pas do t’u nevojiten në jetë, për veten dhe familjet e tyre, është, së paku, e pahijshme.

Më vjen keq që ai nuk ishte në atë takim ku ishin përfaqësuesit legjitimë të lëvizjeve studentore, me të cilët diskutuam për shujtën studentore, diçka me të cilën po merremi në Qeveri. Kjo është në kuadër të asaj për të cilën fola, që studentët të mund t’i shfrytëzojnë këto privilegje jo vetëm për ushqimin studentor, por edhe që shumën që do të miratohet në nivel mujor të vazhdojnë ta shfrytëzojnë edhe më tej në zinxhirët tregtarë, për zbritje shtesë dhe privilegje të tjera.

Gjithashtu, do të doja t’u përcillja një mesazh studentëve se unë, si profesor i rregullt universitar, jam miku dhe mbështetësi i tyre, sepse, në fund të fundit, politika dhe pozita ime e sotme janë kategori kalimtare dhe të ndryshueshme. Kur e gjithë kjo të përfundojë, unë përsëri do të kthehem në Universitet dhe sërish do të punoj e do të shoqërohem me studentët, si dhe do të përpiqem që një pjesë të njohurive dhe përvojës sime t’ua përcjell atyre, për të cilat shpresoj se një pjese të madhe prej tyre do t’u përbëjnë vlerë të shtuar në jetën e tyre.

Këtë e kemi dëshmuar dhe konfirmuar edhe si Qeveri. Të gjitha projektet që kishin mbetur pezull, duke filluar nga konviktet studentore, përmes pajisjeve elektronike që siguruam për secilin student, të gjitha konviktet shkollore dhe studentore që do të realizohen në vijim, si dhe kampuset e reja universitare në disa universitete, janë vetëm një konfirmim se kjo Qeveri është mike e studentëve dhe kështu do të vazhdojë të jetë.

Sigurisht, mund të ketë individë që nuk pajtohen me këtë politikë, por do të thosha se është e pahijshme që profesorët e rregullt universitarë të poshtërohen dhe fyhen në këtë mënyrë në skenë të hapur.“

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit