Ndryshimet në Kodin Penal, test i pavarësisë së gjyqësorit nga politika

Advertisement

Shkup, 9 nëntor, Zhurnal.mk – Ndryshimet e njëpasnjëshme në Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut kanë hapur një debat të gjerë politik, juridik dhe shoqëror mbi drejtimin e reformave në sistemin e drejtësisë. Ato janë paraqitur nga pushtetet politike si përpjekje për harmonizim me standardet evropiane dhe përmirësim të legjislacionit penal, por njëkohësisht kanë nxitur dyshime serioze për ndikimin e tyre mbi luftën kundër korrupsionit dhe ndëshkimin e zyrtarëve të lartë. Në këtë kontekst, çështja nuk është më vetëm përmbajtja e ndryshimeve ligjore, por te aftësia e sistemit gjyqësor për të vepruar i pavarur nga interesat politike. Pikërisht për këtë arsye, ndryshimet në Kodin Penal janë shndërruar në një test të vërtetë të pavarësisë së gjyqësorit dhe të seriozitetit të shtetit në luftën kundër korrupsionit, shkruan Zhurnal.

Çfarë thotë raporti i Komisionit Evropian?

Raporti i fundit i Komisionit Evropian jep një pasqyrë shqetësuese mbi gjendjen e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut. Sipas vlerësimeve të Brukselit, korrupsioni mbetet një problem serioz dhe i përhapur, ndërsa institucionet ende nuk arrijnë të prodhojnë rezultate bindëse në ndjekjen dhe dënimin e rasteve të profilit të lartë. Për më tepër, një pjesë e konsiderueshme e rasteve vazhdon të endet nëpër korridoret e gjykatave, duke u zvarritur për vite të tëra.

Një nga kritikat më të forta të Komisionit Evropian është fakti se shumë raste të korrupsionit të nivelit të lartë përfundojnë me parashkrim. Kjo nënkupton se, pavarësisht hetimeve dhe procedurave të gjata individët e dyshuar shpesh shmangin përgjegjësinë penale për shkak të skadimit të afateve ligjore. Si rezultat, krijohet perceptimi i pandëshkueshmërisë, i cili minon besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe forcon bindjen se ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë.

Veçanërisht shqetësuese për Komisionin Evropian janë ndryshimet e shpeshta në Kodin Penal. Sipas raportit, kodi është ndryshuar tri herë brenda tre vjetësh, duke ngritur pikëpyetje serioze për sigurinë juridike dhe parashikueshmërinë e sistemit. Brukseli vlerëson se ndryshimet e janarit 2026 nuk kanë korrigjuar plotësisht pasojat e ndryshimeve të vitit 2023. Edhe pse është rikthyer dispozita për keqpërdorimin e pozitës zyrtare në prokurimet publike, fushëveprimi i saj mbetet më i ngushtë dhe nuk mbulon forma të tjera serioze të manipulimeve gjatë procedurave të tenderimit. Po ashtu, mbetet i pazgjidhur ndikimi që ndryshimet e mëhershme kanë pasur mbi afatet e parashkrimit të veprave penale.

Çlirim i gjyqësorit nga varësia politike do të dëshmohej vetëm përmes këtyre ndryshimeve

Lufta për një gjyqësor të pavarur në Maqedoninë e Veriut duket të jetë një proces i gjatë dhe shpeshherë frustrues. Për më shumë se dy dekada, çdo qeveri ka premtuar reforma në drejtësi, ndërsa pothuajse çdo raport ndërkombëtar ka përsëritur të njëjtat kritika për ndikimin politik mbi institucionet gjyqësore. Kjo ka krijuar një cikël të vazhdueshëm premtimesh dhe zhgënjimesh, ku pritjet për drejtësi të barabartë shpesh nuk janë përmbushur.

Besimi i qytetarëve në gjyqësor nuk mund të rikthehet përmes deklaratave politike apo strategjive të shkruara në letër. Kjo duhet të ndodhë vetëm përmes vendimeve konkrete që tregojnë se gjykatat dhe prokuroritë veprojnë pa dallime politike dhe pa presione nga qendrat e pushtetit. Kur qytetarët shohin se zyrtarët e lartë hetohen dhe dënohen në bazë të ligjit, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, atëherë fillon të ndërtohet bindja se drejtësia funksionon.

Kujtojmë që, plaga më e madhe e sistemit mbetet perceptimi se politika vazhdon të ketë ndikim në drejtësi. Prandaj, testi i vërtetë nuk është miratimi i ligjeve në Kuvend, por mënyra se si ato zbatohen nga gjykatat dhe prokuroritë. Vetëm një drejtësi që guxon të trajtojë të gjithë të barabartë para ligjit mund të dëshmojë se ka dalë nga ndikimet politike. Pavarësia e gjyqësorit duhet të pasqyrohet me aftësinë për të dhënë drejtësi edhe atëherë kur kjo bie ndesh me interesat e pushtetit. Për këtë arsye, ndryshimet në Kodin Penal mbeten një provë vendimtare për maturinë demokratike të shtetit dhe për seriozitetin e tij në ndërtimin e sundimit të ligjit. /Zhurnal.mk përcjell Zhurnal.mk .

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit