Tragjedi në autostradën e Kroacisë: Dy të vdekur, përmbyset autobusi serb

Advertisement

Dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë lënduar në një aksident të rëndë trafiku që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën A3 në Kroaci, pasi një autobus me targa serbe ka dalë nga rruga dhe është përmbysur.

Sipas policisë së Zagrebit, aksidenti ka ndodhur rreth orës 07:25, në kilometrin e 61-të të autostradës, pranë kryqëzimit të Ivaniq Gradit, në drejtim të Zagrebit.

Sipas të dhënave fillestare, në autobus ndodheshin 33 pasagjerë dhe dy shoferë. Autobusi ka përplasur dhe thyer mbrojtësen anësore, përpara se të përfundonte i përmbysur jashtë rrugës.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë ekipet e emergjencës, helikopterë dhe 15 zjarrfikës me shtatë automjete. Të lënduarit janë dërguar në spitalet e Zagrebit, ndërsa disa prej tyre kanë marrë ndihmën e parë në vendin e aksidentit.

Numri i saktë i të lënduarve dhe gjendja e tyre shëndetësore ende nuk janë bërë të ditur. Autoritetet po zhvillojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit